​Kosova e Ballkani po vuajnë t’i kthejnë projektet infrastrukturore në investime konkrete

Nga D. V.
957 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 qershor, Zhurnal.mk – Në Selanik po mbahen punimet e Samitit të Investimeve në Transport, i cili ka mbledhur qeveri (Kosova përfaqësohet nga ministri i Infrastrukturës Dimal Basha), institucione të Bashkimit Evropian, institucione financiare ndërkombëtare dhe sektorin privat me synimin për të përshpejtuar investimet në transport në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet fqinje të BE-së.

Nën temën “Rritje dhe konkurrueshmëri përmes lidhshmërisë” samiti fokusohet në shndërrimin e prioriteteve strategjike të lidhshmërisë në projekte transporti të gatshme për investime, duke trajtuar zgjerimin e rrjetit TEN-T(rrjeti transevropian i transportit i BE-së), Korridorin Ballkani Perëndimor–Mesdheu Lindor, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin ndërmjet sektorit publik e privat, thuhet në një njoftim të Komuniteti të Transportit, një organizatë kjo ndërqeveritare që synon integrimin e sektorit të transportit të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor parasheh 6 miliardë euro financim, prej tyre 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare. Rreth 3 miliardë euro janë të dedikuara për investime përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek, tha se rajoni tashmë ka përcaktuar prioritetet dhe është përafruar me standardet e BE-së, por tani “duhet të kalojmë nga hartat dhe planet në zbatim të shpejtë”, duke kërkuar projekte më të përgatitura, institucione më të forta dhe financim të koordinuar.

Zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Mark Boëman, vlerësoi se sfida kryesore mbetet realizimi i projekteve, duke theksuar nevojën për përshpejtimin e përgatitjes së tyre, forcimin e institucioneve dhe mobilizimin e financimit publik e privat për të kthyer korridoret strategjike në investime konkrete.

Ndërkaq, numri dy i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Robert de Groot, tha se lidhshmëria efektive është thelbësore për një Evropë konkurruese dhe të integruar, duke nënvizuar se projektet e transportit ndihmojnë në forcimin e tregtisë, investimeve dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit, samiti shihet si një mundësi për avancimin e projekteve infrastrukturore dhe sigurimin e financimit për rrjete transporti më moderne, më të sigurta dhe më të lidhura me tregun evropian.

Një raport i Gjykatës së Auditorëve të BE-së, që u bë publik ditë më parë, kishte gjetur se projektet që kanë të bëjnë me ndërtimin, rregullimin dhe përmirësimin e rrjetit të transportit në Ballkan, e të cilat janë të financuara nga Unioni, nuk janë gati për t’u përfunduar në vitin 2030, sikur që ishin përcaktuar afatet. /KP/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër