Shkup, 6 janar – Gripi sezonal po ngjitet drejt pikut. Shumë qytetarë festat po i kalojnë nëpër spitale. Në spitalin për sëmundje të mushkërive për fëmijët në Kozle të Shkupit po punohet me kapacitet të plotë, raporton TV21. Gjatë fundjavës vetëm në këtë spital janë kontrolluar rreth 800 pacientë, një numër tejet i lartë për 48h.
Pediatrja specialist Elena Gjinovska-Tasevska tha se gjatë ditës së djeshme janë trajtuar rreth 150 fëmijë. Numër ky në rritje edhe sot, ku prej njëqind fëmijëve të shtruar në spital, 6 janë në aparate të oksigjenit.
Rekomandimet e mantel bardhëve janë që qytetarët t’u shmangen tubimeve, ndejave në ambiente të mbyllura dhe t’i përmbahen higjienës personale. Madje sugjerojnë që në mënyrë parandaluese të marrin vitamina dhe suplemente ushqyese për të ngritur imunitetin. Meqenëse virozat janë tejet ngjitëse, mjekët thonë se mos t’i sjellin fëmijët direkt nëpër spitale që në simptomat e para, për të mos u sëmurë më keq, por të përpiqen fillimisht në mjekim shtëpiak apo edhe përmes mjekut familjarë tu jepet terapia përkatëse.

