KRRE: Sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor, por mund të fillojë edhe nga 1 tetori nëse temperatura është e barabartë ose më e vogël se 12 gradë Celsius

nga D. V.

Shkup, 30 shtator – Sipas Rregullave të Furnizimit me Energji Termike dhe Sistemit Tarifor të Shitjes së Energjisë Termike, sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor 2025 dhe përfundon më 15 prill 2026. Por në rast se temperatura e parashikuar mesatare e jashtme për ditën në vijim është e barabartë ose më e ulët se 12  gradë Celsius, atëherë sezoni i ngrohjes mund të fillojë në afat më të hershëm, respektivisht nga 1 tetori dhe të përfundojë më së voni më 30 prill, përkujton Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhim me Mbeturina Komunale (KRRE).

“Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit, NOMAGAS, ka njoftuar se këtë vit, për shkak të aktiviteteve të mirëmbajtjes në sistemet rajonale të transmetimit të gazit natyror dhe në gazsjellësin ‘Rrjedha turke’, pritet që nga data 13 deri më 17 tetor të ketë ndërprerje në furnizimin me gaz natyror për konsumatorët në vendin tonë”, njoftoi KRRE.

KRRE rikujton se siguria në furnizim është interes parësor dhe se legjislacioni në fuqi i mundëson operatorit të gazit natyror, NOMAGAS, që në rast ndërprerjeje të furnizimit të bëjë mbushjen me kohë të tubacionit dhe ta shpërndajë sasinë në mënyrë të përshtatshme gjatë ditëve kritike për përdoruesit që ngrohen me energji të ngrohjes.

“Sipas Rregullores së Furnizimit me Energji Termike dhe Sistemit Tarifor për Shitjen e Energjisë Termike, furnizuesi është i detyruar që në hapësirat e ngrohjes, gjatë periudhës nga ora 06:00 deri në 22:00, të sigurojë temperaturë ngrohjeje prej 20 +1 gradë Celsius. KRRE u bën apel banorëve, respektivisht bashkësive të banesave, që të kontrollojnë instalimet e brendshme dhe instalimet në objektet e tyre, si dhe të shlyejnë faturat për energjinë elektrike për nënstacionet termike, me qëllim që sezoni i ngrohjes të fillojë pa probleme”, porositin nga Komisioni Rregullator për Energjetikë. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More