Prishtinë, 21 tetor Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë detaje nga takimi në Mal të zi në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit. Kurti ka ndarë pamje teksa ka bërë me dije se është takuar me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Kurti thekson se mbështetja proaktive për dhënien e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim është e rëndësishme.
“Takimin e parë në Shën Stefan në Mal të Zi në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, e pata me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtoj reformat. Javën e kaluar miratuam ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërkohë shpejt fillojnë negociatat për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë.
Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia”, shkruan Kurti.
