Prishtinë, 7 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka thënë se për vazhdim të seancës konstituive vendos kryesuesi i saj, Avni Dehari, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se as nuk e ka takuar e as s’ka ndërmend ta takojë, meqë ka shumë punë.
“Pra, seanca konstitutive e Kuvendit ka nisur dje. Kur vazhdon, vendos kryesuesi i seancës. Unë nuk jam takuar sot me kryesuesin e seancës dhe nuk e kam ndërmend të takohem me kryesuesin e seancës, sepse kam shumë punë si kryeministër në detyrë. Ju e dini, përveç që duhet të vij në bisedime me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, e duhet të shkruaj letra me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, sepse ai refuzon të takohet me mua, kam shumë punë me të gjithë ministrat dhe me projektet që vazhdojnë. Sepse shteti dhe qeveria nuk do t’ia dijë që ti ke takime e letra zyrtare me krerët e opozitës, e aq më pak mund të merrem me çështje juridike, procedurale që i përkasin kryesuesit të seancës. Pra, pa dyshim që në këto orë të pasdites do ta kuptoni a do të thirret vazhdimi i seancës dhe kur”, ka thënë Kurti.
