Kurti tregon se pse nuk arriti marrëveshje me Limajn

nga Xh M

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar se pse nuk ka një marrëveshje me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn.

Kurti tha se është mirë që Limaj më Nismën është kthyer në Kuvendin e Kosovës dhe se kjo parti do të duhej të ishte parti simotër me Lëvizjen Vetëvendosje.

Madje Kurti tha se Nisma në koalicion me AAK-në e ka ndihmuar partinë e Ramush Haradinajn ta kalojë pragun zgjedhor.

“Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, ku është rritur mirëbesimi, vullneti për bashkëpunim. Mirëpo, ku nuk ka pasur mosmarrëveshje, thjesht për shkak të një insistimi, parakushti, madje as kushti, për bashkëpunim në të ardhmen për pozitën e kryeparlamentarit. Tash unë jam në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa. Një partie me tre deputetë t’ia japim kryeparlamentarin, kur e kam një parti që është dyfishi për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton pariparueshëm arkitekturën e marrëveshjes paraprake që VV e ka me Guxo dhe Alternativa. Nuk ishte një gjë e mundu”, tha Kurti në RTK.

Kurti: Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena po kthehet në legjislativ

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka konfirmuar se Glauk Konjufca do të jetë ministër në qeverinë “Kurti 3”. Ai tha se Konjufca po kthehet në ekzekutiv e Haxhiu në legjislativ.

“Ne kemi marr vendim ta propozojmë ministren e Drejtësisë, gruan më të votuar, Albulena Haxhiun për kryetare të kuvendit, ndërkaq Glauk Konjufca jemi marr vesh që do të bëhet anëtar i qeverisë në ‘Kurti 3’. Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena po kthehet në legjislativ”, tha Kurti në RTK.

Kreu në detyrë i qeverisë e ka pranuar se për ta bërë qeverinë e re duhet të bëjë kompromise e koncesione.

“Kur formohet qeveria do të na duhet të bëjmë koncesione e kompromise, dhe këtu natyrisht që ne do t’i bënim sërish bisedat me të tjerët e natyrisht para së gjithash me pakicat që tashmë i kemi si vota për Albulena Haxhiun dhe me të cilët kemi bashkëqeverisur deri më tani dhe me Nismën me të cilën kemi pasur takime. Ndërkaq sa i përket konstituimin e Kuvendit, unë them që ta ruajmë shëndetin e demokracisë në Kosovë, të mos ia imponojmë propozimet njëri –tjetrit, sepse nëse partitë opozitare përzgjedhin brenda Vetëvendosjes e LVV-ja të përzgjedhë brenda partive opozitare, atëherë ne do të përfundojmë që një kryesi ku partitë që i kanë të deleguarit e vetë janë jo mjaftueshëm të kënaqur me ta ose me to. Le të mos ta bëjmë këtë lojë negative. Ne duhet ta respektojmë propozimin e njëri–tjetrit dhe ta kemi një kryesi meritore të Kuvendit”, tha Kurti.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More