Kush po e nxit Gjykatën Kushtetuese drejt “politikës ditore”?

Nga I.A
1,259 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 mars – Gjykata Kushtetuese vendosi dje të hedhë poshtë katër nisma që kontestonin ligjshmërinë e sistemit “Safe City”. Iniciativat e paraqitura nga Aleanca për Shqiptarët Ziadin Sela dhe Arben Taravari, si dhe nga studenti Ylli Paçuku, argumentonin se ky sistem krijon pabarazi, pasi zbatohet vetëm në disa qytete dhe mesazhet e kundërvajtjeve nuk ofrohen në gjuhën shqipe. Megjithatë, shumica e gjykatësve vendosën të mos hapin procedurë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë, duke lënë sistemin në fuqi. Ky vendim, përveçse ka pasoja praktike për qytetarët, ngre pikëpyetje të mëdha mbi qasjen e Gjykatës ndaj barazisë gjuhësore dhe respektimit të të drejtave kushtetuese, shkruan Zhurnal.

A po rrëshqet Gjykata Kushtetuese nga shkaqet e themelimit dhe funksionimit të këtij organi?

Gjykata Kushtetuese, e cila duhej të ishte institucioni më i paanshëm dhe garant i të drejtave të të gjithë qytetarëve, po shfaq një prirje të rrezikshme shpërfilljen e gjuhës shqipe dhe trajtimin e saj si gjuhë e një pakice të zakonshme. Kryetari i Gjykatës, Darko Kostadinovski, duke e përmendur shqipen në të njëjtin nivel me gjuhët e komuniteteve më të vogla si romët apo turqit, harron se shqiptarët nuk janë pakicë por një nga dy shtyllat themelore të shtetit.

Kjo qasje nuk është thjesht e pasaktë profesionalisht është katastrofale. Ajo minon frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimin e barazisë kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk duhet të bëhet instrument i politikave ditore, e aq më pak të ngrejë pikëpyetje nëse kjo Gjykatë po ushqen narrativen e “albanofobisë”?

Struktura e Gjykatës Kushtetuese –

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi, Presidenti dhe Këshilli Gjyqësor. Dje, në seancën për “Safe City”, u pa qartë ndarja e qëndrimeve gjykatësi shqiptar Naser Ajdari kërkoi hapjen e procedurës dhe rekomandimin e ndryshimeve ligjore, ndërsa gjyqtarja raportuese Ana Pavllovska-Daneva dhe kryetari Kostadinovski argumentuan se ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe nuk ka nevojë për shqyrtim, prandaj e hedhën atë kërkesë poshtë dhe sistemi mbetet në fuqi.

Kujtojmë që, kryetar i Gjykatës Kushtetuese është Darko Kostadinovski, ndërsa pjesë e trupit janë edhe Naser Ajdari, Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, Fatmir Skender, Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, Ana Pavllovska-Daneva, si dhe dy gjyqtarë të tjerë që kanë munguar në seancën e djeshme. Prej tyre, Naser Ajdari dhe Osman Kadriu kanë votuar për shqyrtim të kërkesave, por janë mbivotuar nga të tjerat dhe këto ankesa janë anashkaluar.

Vendimi i djeshëm për “Safe City” nuk ishte thjesht një çështje teknike e kundërvajtjeve në komunikacion. Por është pasqyrë e një problemi më të madh shpërfilljes së gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve nga një institucion që duhej të ishte garant i barazisë.

Gjykata Kushtetuese, në vend që të shërbejë si mbrojtëse e Kushtetutës, po rrezikon të shndërrohet në një arenë ku padrejtësia institucionalizohet.

Nëse ky trend vazhdon, besimi i qytetarëve veçanërisht i shqiptarëve në Gjykatën Kushtetuese do të gërryhet edhe më tej. Dhe, rikthehen parullat rrugëve që rrëzuan regjimin Gruevist “pa drejtësi nuk ka qetësi”. Kështu që, duhet të mendojnë më shumë herë para se të veprojnë njëherë, sepse shqiptarët nuk janë pakicë e minoritet, por janë populli i dytë shumicë në vend dhe si të tillë duhet trajtuar. Ndryshe nuk mundet askush e dështon gjithkush. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër