ESHR zbulon mangësi në Inspektoratin për Ndërtim dhe Urbanizëm

Nga D. V.
1,084 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 mars, Zhurnal.mk – Enti Shtetëror i Revizionit i Maqedonisë së Veriut ka publikuar raportin e revizionit për raportet financiare dhe përputhshmërinë e punës së Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm për vitin 2024, duke evidentuar një sërë dobësish në funksionimin e këtij institucioni, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas raportit, janë konstatuar mangësi në procesin e kryerjes së inventarit të aseteve dhe burimeve të fondeve, si dhe mungesë e vlerësimit të vlerës së tregut të objekteve ndërtimore. Po ashtu, revizioni ka evidentuar dobësi edhe në procesin e llogaritjes dhe pagesës së pagave.

Në raport theksohet gjithashtu mënyra e papërshtatshme e organizimit të mbikëqyrjes inspektuese në fushën e urbanizmit, si dhe mungesa e raporteve gjashtëmujore që lidhen me të dhënat për trajtimin e ankesave dhe propozimeve të qytetarëve.

Nga Enti Shtetëror i Revizionit bëhet e ditur se që nga viti 2018 funksionin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm e kanë ushtruar ushtrues detyre për një periudhë më të gjatë se afati ligjor prej gjashtë muajsh. Sipas raportit, kjo situatë krijon rrezik që drejtimi i institucionit të kryhet nga persona që nuk i përmbushin kushtet e përcaktuara me ligj.

Revizioni ka vënë në dukje gjithashtu dobësi në procesin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional gjatë trajtimit të ankesave dhe propozimeve, si dhe mungesë serioze të inspektorëve në këtë institucion.

Sipas raportit, kjo situatë mund të ndikojë në uljen e efikasitetit të mbikëqyrjes inspektuese në fushën e ndërtimtarisë dhe urbanizmit në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër