Shkup, 5 tetor – Ndërsa metropolet evropiane si Madridi, Lisbona dhe Vjena garojnë se cila do të investojë më shumë në hapësira të gjelbra, spa qendra dhe cilësi jete, Maqedonia mbetet në periferi të zhvillimit urban të shëndetshëm. Në vendin tonë, koncepti i “qytetit të mirëqenies” ende konsiderohet luks, e jo prioritet publik.
Platforma e rezervimit të udhëtimeve “Omio” analizoi 17 faktorë të ndryshëm për të zbuluar se cilat qytete evropiane ofrojnë kushtet më të mira për një jetë të shëndetshme dhe të balancuar – si për banorët, ashtu edhe për vizitorët. Kryeqyteti spanjoll, Madridi, u pozicionua në vendin e parë me gjithsej 78.62 pikë nga 100 të mundshme.
Madridi tregoi rezultate të larta pothuajse në çdo kategori, veçanërisht për shkak të cilësisë së lartë të jetës, me 360 spa qendra dhe mesatarisht 2,712 orë me diell në vit. Nuk është çudi që së fundmi u shpall një nga kryeqytetet më me diell në Evropë.
Lisbona mori vendin e dytë me 75.36 pikë, falë planeve për hapjen e zonave të reja të qeta dhe aksesit të lirë në disa nga kopshtet më të gjelbra të qytetit. Vjena u rendit në vendin e tretë, ndërsa ndër qytetet që u dalluan si më të përshtatshme për shëndet dhe mirëqenie ishin gjithashtu Zagrebi, Lubjana dhe Budapesti.
Qytetet më të mira në Evropë për shëndet dhe mirëqenie:
Madrid
Lisbonë
Vjenë
Pragë
Amsterdam
Helsinki
Kopenhagen
Talin
Romë
Zagreb
Budapest
Lubjanë
Bern
Berlin
Luksemburg
Riga
Sofje
Vilnius
Athinë
Stokholm
Erevan
Reykjavik
Po të ishte Maqedonia pjesë e kësaj analize, rezultatet e saj do të ishin — për ta thënë butë — zhgënjyese. Kryeqyteti Shkup, i cili dikur konsiderohej qendër moderne dhe e gjelbër, sot përballet me ndotje të lartë, mungesë pemësh, urbanizim të pakontrolluar dhe mungesë të zonave rekreative.
Në vend të parqeve, ndërtohen pallate; në vend të korsive për biçikleta, shtohen korsitë për makina. Ndërsa qytetet evropiane kanë qindra spa qendra dhe dhjetëra kilometra zona këmbësorësh, Maqedonia nuk ka as koncept të zhvilluar për turizëm wellness, as politika serioze për shëndetin urban.
Sporti është i neglizhuar, parqet janë të mbushura me beton, ndërsa qytetarët gjithnjë e më shpesh ikin në male për të marrë ajër.
Ironia është se Maqedonia i ka të gjitha për të qenë në krye të kësaj liste – male, burime, banja kurative, diell dhe klimë të ngrohtë. Por pa vizion, i gjithë ky potencial mbetet i pashfrytëzuar.
Ndërsa Evropa e mat mirëqenien me orë dielli, numër parkesh dhe akses në jetë të shëndetshme – ne ende luftojmë me pluhur, deponi ilegale dhe zakone të vjetra.
Mësimi nga kjo listë është i qartë: Shëndeti i një qyteti nuk ndërtohet me billboard-e dhe premtime boshe, por me politika të gjelbra, ajër të pastër dhe hapësirë ku njeriu mund të marrë frymë – në kuptimin literal dhe metaforik.