LSDM: Heshtja e pushtetit për skandalin me 5 tonë drogë është provë se po mbrohen fajtorët

nga Xh M

Shkup, 2 shkurt – Partia LSDM akuzon pushtetin se po hesht qëllimisht për skandalin e rëndë të kapjes së 5 tonë drogë me origjinë nga Maqedonia e Veriut, e sekuestruar në Serbinë fqinje, duke e cilësuar këtë heshtje si dëshmi të përpjekjeve për mbulimin e rastit dhe mbrojtjen e të përfshirëve, transmeton Flaka.

“Sot është dita e dytë radhazi që pushteti nuk jep asnjë përgjigje për skandalin kartelist me 5 tonë drogë. Ky molk është konfirmim se po tentohet të zvarritet dhe të mbulohen fajtorët”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sipas partisë opozitare, mbetet pa përgjigje pyetja thelbësore se si është e mundur që një sasi kaq e madhe droge të kalojë kufirin shtetëror pa asnjë përgjegjësi institucionale.

“Si kanë kaluar 5 tonë drogë përmes kufirit maqedonas dhe askush të mos mbajë përgjegjësi? A nuk ekzistojnë kamerat ‘Safe City’, skanerët dhe kontrollet kufitare? A është e mundur që askush të mos ketë parë apo dëgjuar asgjë, ndërsa droga është transportuar kaq lehtë?”, pyesin nga LSDM.

Nga atje theksojnë se pa mbështetje, mbrojtje dhe logjistikë nga struktura brenda pushtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Doganave, një krim i përmasave të tilla është i pamundur.

“Pyetja është sa dërgesa të tilla kanë kaluar më parë, sa tonë drogë janë futur përmes kufijve të Maqedonisë dhe sa ende po kontrabandohen. Ky skandal kartelist tregon qartë deri ku shtrihen tentakulat e krimit dhe korrupsionit të pushtetit”, thuhet më tej.

LSDM rikujton se prej ditësh ka paralajmëruar për lidhje të drejtpërdrejta mes strukturave kriminale në Maqedoni dhe Serbi, ndërsa ky rast, sipas tyre, është një tjetër konfirmim i këtyre dyshimeve.

“Përditshmëria e qytetarëve maqedonas ngjan me një film mafioz: tenderë kriminalë, kontrabandë me 5 tonë drogë, fotografi të Mickoskit me kriminelë, orë luksoze prej 65 mijë eurosh”, akuzon LSDM.

Partia kërkon përgjegjësi të qartë për këtë rast dhe reagim urgjent nga organet e drejtësisë.

“Për skandalin kartelist me 5 tonë drogë duhet të ketë përgjegjësi. Prokuroria duhet të zgjohet dhe të hapë hetim. Kush në Maqedoni është i përfshirë në kontrabandën e drogës? Sa drogë ka kaluar kufijtë? Ku përfundojnë paratë enorme nga ky trafik dhe çfarë financohet me to? Kush do të përgjigjet?”, thuhet në reagim.

Në fund, LSDM paralajmëron se çështja nuk është e mbyllur.

“Përgjegjësi do të ketë, herët a vonë. Të gjithë do të përgjigjen”, përfundon reagimi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More