Macron: Franca sekuestroi një anije ruse të “Flotës Hije” me mbështetjen e trupave britanike

Nga D. V.
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Paris, 01 qershor, Zhurnal.mk – Franca ka ndaluar dhe sekuestruar një anije cisternë, pjesë e “Flotës Hije” ruse në Oqeanin Atlantik, me ndihmën e Brianisë së Madhe, tha sot presidenti francez Emmanuel Macron.

“Anija “Tagor”, e cila është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare, u ndalua dje nga marina franceze në ujëra ndërkombëtare”, tha Macron në një postim në platformën X.

Sipas tij, ky është një nga rastet më të fundit në serinë e operacioneve të vendeve perëndimore për të goditur të ashtuquajturën “flotë hije” të Rusisë – rrjetin e anijeve që përdoret për të eksportuar naftë dhe për të shmangur sanksionet e vendosura pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në postimin e tij, Macron tha se Marina Franceze, kishte ndërhyre ndaj një anijeje cisternë, subjekt i sanksioneve ndërkombëtare, me origjinë nga Rusia nën emrin “Tagor”.

“Vendosmëria jonë është e palëkundur dhe e qëndrueshme”, shtoi ai.

Presidenti francez tha se operacioni u zhvillua në Atlantik, në ujërat ndërkombëtare, me mbështetjen e disa partnerëve, përfshirë Britaninë e Madhe, dhe në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar detar.

Macron e quajti të papranueshme, që anijet të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare, të shkelin ligjin e detit dhe të financojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke paralajmëruar gjithashtu se këto mjete lundruese, paraqesin rrezik për mjedisin dhe sigurinë detare.

Pamje të publikuara së bashku me deklaratën, tregojnë forca speciale franceze që zbresin nga helikopterët në kuvertën e anijes dhe lëvizin të armatosura përgjatë saj, gjatë operacionit.

Londra dhe Parisi kanë rritur së fundmi bashkëpunimin për të ndaluar kalimin e anijeve ruse, që dyshohet se përdoren për të anashkaluar sanksionet.

Në muajt e fundit, vendet perëndimore kanë ndërmarrë disa operacione të ngjashme, në kuadër të përpjekjeve, për të kufizuar të ardhurat e Moskës nga nafta.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër