Shkup, 8 qershor, Zhurnal.mk – Kompania “Makprogress” dje vuri në funksion fabrikën e re për prodhimin e vaflave të markës tregtare “Vinçini”, një investim me vlerë 8,5 milionë euro. Drejtori i përgjithshëm i “Makprogress”, Gligor Cvetanov, informoi se investimi është realizuar me mjete vetjake dhe kredi nga bankat komerciale, përfshirë edhe një pjesë të fondeve të siguruara përmes linjës së kreditit hungarez të mundësuar nga Qeveria, raporton Veçer, transmeton Zhurnal.
“Përveç 40 vendeve fillestare të punës, nga të cilat një pjesë janë nga stafi ekzistues dhe pjesa tjetër punësime të reja, vitin e ardhshëm planifikohen edhe 40 vende të tjera pune, pasi kapaciteti i prodhimit do të dyfishohet,” theksoi Cvetanov.
Objekti është ndërtuar për gjashtë muaj dhe ka dy linja moderne prodhimi për vafla dhe produkte të ngjashme të ëmbëlsirave, të destinuara për tregun vendas dhe atë të huaj.
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi mbështetje të mëtejshme për bizneset vendore, duke u shprehur i impresionuar nga kjo investim, veçanërisht për faktin që “Makprogress” nga një biznes modest familjar është shndërruar në gjigant rajonal me qarkullim vjetor mbi 40 milionë euro.
“Kompania është një nga shtyllat e industrisë së ëmbëlsirave në Maqedoni. Si Qeveri do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar biznese të tilla, sidomos duke pasur parasysh se rreth 80 për qind e prodhimit është i destinuar për eksport. I kemi dëgjuar ambiciet dhe synimet e tyre dhe do të bëjmë gjithçka që të jemi vlerë e shtuar në realizimin e tyre,” deklaroi Mickoski.
Një pjesë e fabrikës “Vinçini” në shtatorin e vitit të kaluar u përfshi nga një zjarr, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe djegien e një pjese të produkteve të gatshme.
Hapja e fabrikës së re u realizua për vetëm gjashtë muaj, me pjesëmarrje të rëndësishme të kompanive vendore të ndërtimit, inxhinierëve, projektuesve dhe ekzekutuesve. Objekti ka dy linja moderne prodhimi për vafla dhe produkte të ngjashme, të destinuara si për tregun vendas, ashtu edhe për mbi 60 tregje të huaja ku sot janë të pranishme produktet e “Vinçini”.
Investimi pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe të hapë mundësi të reja për kuadrot e rinj. Fabrika e re do të mundësojë rritjen e kapaciteteve prodhuese të “Vinçini” me rreth 30 për qind, si dhe rritje të ndjeshme të eksportit dhe prezencës në tregjet ndërkombëtare.
