Më shumë se 400 persona të veshur si personazhi i famshëm “The Tramp” i Charlie Chaplin u mblodhën në Corsier-sur-Vevey, me synimin për të thyer rekordin botëror për tubimin më të madh të imituesve të Chaplinit.
Ngjarja u zhvillua në muzeun “Chaplin’s World”, i ngritur në ish-shtëpinë e legjendës së kinemasë. Aktiviteti u organizua për të shënuar 10-vjetorin e hapjes së muzeut dhe mblodhi 429 pjesëmarrës me kapele të zeza, mustaqe karakteristike dhe bastunë.
Megjithatë, numri i pjesëmarrësve nuk mjaftoi për të thyer rekordin e vendosur po aty në vitin 2017, kur morën pjesë 662 imitues të Chaplinit. Organizatorët thanë se kjo nuk e zbehu atmosferën festive të ngjarjes.
Nën diellin e fortë të verës, pjesëmarrësit formuan numrin gjigant “10” në lëndinën përballë vilës ku Chaplin jetoi 25 vitet e fundit të jetës së tij me bashkëshorten Oona O’Neill dhe tetë fëmijët e tyre.
Aktori francez Anthony Champeil, i cili interpreton shpesh Chaplinin në skenë, tha se ishte “njeriu më i lumtur në botë” që ndodhej në shtëpinë e Chaplinit mes qindra admiruesve të tij.
Sipas tij, mesazhi i Chaplinit ishte ruajtja e aftësisë për t’u mrekulluar dhe për të luajtur si fëmijë gjatë gjithë jetës.
Muzeu ndodhet në pronën historike Manoir de Ban, pranë Lozanën. Chaplin u vendos në Zvicër në vitet 1950 pasi iu ndalua rikthimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes dyshimeve për simpati komuniste gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Pjesëmarrësit theksuan se filmat e tij, si “The Great Dictator,” “The Kid” dhe “Modern Times”, vazhdojnë të frymëzojnë me mesazhet e tyre për humanizmin, respektin dhe solidaritetin.
Organizatorët nuk përjashtuan mundësinë e një përpjekjeje të re për rekord në vitet e ardhshme, ndoshta gjatë 20-vjetorit të muzeut.
