FIFA ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, i cili kishte pretenduar se Maroku do të jetë nikoqir i finales së Kupës së Botës 2030.
Lekjaa kishte deklaruar se finalja e turneut do të zhvillohej në Marok, në një Botëror që do të organizohet bashkërisht nga Maroku, Spanja dhe Portugalia.
Megjithatë, FIFA ka sqaruar se për momentin nuk është marrë asnjë vendim për stadiumin apo qytetin që do të presë finalen e madhe.
Botërori 2030 do të ketë një format të veçantë, pasi përveç ndeshjeve në Marok, Spanjë dhe Portugali, tri takimet hapëse do të zhvillohen në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai, si pjesë e festimeve për 100-vjetorin e Kupës së Botës.
Por, pavarësisht deklaratave të Lekjaa-s, FIFA ka bërë të qartë se vendi ku do të zhvillohet finalja ende nuk është përcaktuar.
Kjo nuk është hera e parë që FIFA është detyruar të reagojë ndaj pretendimeve rreth finales së Botërorit 2030.
Më herët, institucioni më i lartë i futbollit botëror kishte mohuar raportimet se presidenti Gianni Infantino i kishte premtuar Marokut organizimin e finales në këmbim të mbështetjes politike për rizgjedhjen e tij në krye të FIFA-s.

