Kosovë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Mbrojtja e Rexhep Selimit, e udhëhequr nga avokati Geoffrey Roberts, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Në një deklaratë të shkurtër për media, Roberts tha se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin, por theksoi se bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë.
“Jemi shumë të zhgënjyer me aktgjykimin, por është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo është vetëm faza e parë, beteja e parë, si të thuash. Z. Salimi synon plotësisht t’i ushtrojë të drejtat e tij për ta apeluar këtë aktgjykim përmes kuadrit ligjor të Kosovës dhe ne jemi të bindur se në fund, përfundimisht, ai do të shpallet i pafajshëm për të gjitha këto akuza”, ka thënë ai.
I pyetur për gjendjen e Selimit pas shpalljes së aktgjykimit, Roberts tha se kishte takuar klientin e tij dhe kishte diskutuar me të për vendimin, por nuk pranoi të japë detaje të tjera.
“Më vjen keq, nuk do të pranoj pyetje. Jam takuar me z. Selimi dhe kemi diskutuar për aktgjykimin, por nuk do të jap më shumë detaje”, tha Roberts.
