Shkup, 16 shkurt -Është rikonstruktuar një pjesë e rrugës lokale Draçevë- motel “Kitka”. Me një gjatësi totale prej 6,42 kilometra dhe gjerësi rruge prej 3,5 metra, rruga ka marrë një infrastrukturë të qëndrueshme, funksionale dhe afatgjatë të trafikut, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski në rrjetet sociale, në pjesën “Projekte për ndryshime të qëndrueshme – themele për një të ardhme të sigurt”.

Projekti përfshiu vendosjen e një shtrese të re asfalti me trashësi prej tetë centimetrash, rregullimin e bankinave në të dy anët e rrugës, ndërtimin e kalimeve prej betoni të armuar dhe mureve mbajtëse, si dhe formimin e kanaleve të hapura, rigolave, trotuareve dhe bordurave në pjesët kyçe të trasës, njoftoi kryeministri.
Bëhet fjalë për një investim në vlerë prej 63.537.537 denarë, të siguruara nga Qeveria përmes Ministrisë së Transportit.

“Ky projekt ka një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e lidhjes rurale, lehtësimin e transportit të përditshëm dhe krijimin e kushteve për zhvillim lokal, deklaroi Kryeministri në Fejsbuk.
