Mickoski: Pjesa lindore e Korridorit 8 më në fund do të përfundojë, projekti mori formë të qartë

Nga D. V.
1,055 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 gusht, Zhurnal.mk – Në Qeveri sot u nënshkruan marrëveshjet për financimin e ndërtimit të segmentit hekurudhor Kriva Pallankë – Deve Bair të Koridorit 8.

Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij, theksoi se dy vitet e fundit të punës intensive kanë mundësuar që projekti të optimizohet dhe të marrë formë të qartë, me lidhje të përshtatshme me Bullgarinë fqinje.

“Dy vitet e fundit të punës së palodhshme e kristalizuan, e optimizuan dhe e bënë më të qartë këtë projekt, i cili më herët nënkuptonte se duhej të përfundonim në gjysmën e tunelit, pa pasur parashikim të qartë nga fqinji ynë lindor se do të modernizohej seksioni që lidh kufirin me ne dhe Sofjen, përfshirë edhe gjysmën tjetër të tunelit. Po, duhej kohë. Duhej të arrihej përparim në bisedimet me fqinjin lindor. Ai përparim u arrit, u nënshkruan marrëveshje, ka angazhim dhe përkushtim nga të dyja palët dhe tuneli është praktikisht pjesa e tretë e projektit”, deklaroi Mickoski.

Ai sqaroi se ekziston angazhim i qartë nga pala bullgare për modernizimin e pjesës së tyre të hekurudhës, si dhe për tunelin e përbashkët, i cili pritet të financohet me grant nga Komisioni Evropian. Sipas tij, mbështetja nga institucionet financiare evropiane dhe BE dëshmon se me përkushtim arrihen rezultate.

“Tani vjen pjesa më e vështirë. Ndërtimi i mbi 22 kilometrave, nga aspekti inxhinierik, është vërtet sfidues. Nuk flas si kryeministër, por si inxhinier. Por jam i bindur në kapacitetet që ka operativa ndërtimore maqedonase, e cila, pres, do të japë kontribut të madh në realizimin e projektit, do të organizohet mirë dhe do të mund të marrë pjesë në tenderin që pres të përfundojë gjatë këtij viti, dhe ndërtimi të nisë po ashtu këtë vit. Me këtë do të kemi edhe ndikim pozitiv mbi ndërtimtarisë, e cila më pas kontribuon në BPV të vendit”, theksoi kryeministri.

Mickoski iu referua edhe kritikave të opozitës, duke theksuar se struktura aktuale e projektit mundëson funksionalitet dhe fizibilitet ekonomik për qytetarët që i kthejnë mjetet.

“Ky projekt nuk do të përfundojë në gjysmën e tunelit, në një rrugë qorre. Tani kemi tërësi. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sepse kur ndërton diçka, duhet të jetë funksionale. Nuk mjafton të bësh një ‘tik’ në kuti dhe të thuash: ‘Mirë është, e nisëm, bëmë konferencë, u paraqitëm, i shpenzuam paratë’. Ato para dikush duhet t’i kthejë. Ato para do t’i kthejnë kryesisht qytetarët e vendit. Dhe nëse ata kthejnë diçka, duhet të kemi një tërësi që sjell të ardhura. Tani, siç është formuar dhe optimizuar projekti, mund të themi se do të sjellë vlerë të shtuar për ekonominë maqedonase. Po e përmbyllim procesin e Koridorit 8. Në pjesën e agjendës reformuese mund të them se segmenti nga Shkupi në Gostivar, përmes Jegunovcës dhe Tetovës, do të përfshihet në financim. Dhe këtu mendoj për modernizim dhe elektrifikim”, shtoi kryeministri.

Mickoski shtoi se pas më shumë se tre dekadash pritje, ky projekt infrastrukturore më në fund po mbyllet si konstruksion financiar falë granteve dhe kredive të BEI‑së dhe BERZH‑it.

“Tani situata është më e qartë. Tani kemi një tërësi që do t’i lidhë të dyja shtetet dhe që do të sjellë vlerë të shtuar për të dyja. Kjo është pjesë e prioriteteve të NATO‑s, por edhe e prioriteteve ekonomike të të dyja shteteve. Do të them dy gjëra që mendoj se janë të rëndësishme. Unë isha adoleshent kur për herë të parë u përmend pjesa lindore e Koridorit 8. Sot jam kryeministër dhe me kënaqësi mund të them se pjesa lindore e Koridorit 8 më në fund do të përfundojë. Çfarë do të thotë kjo? Nëse atëherë isha adoleshent, e sot kam 48 vjeç, do të thotë se mbi 30 vjet kemi pritur që ajo që dikur na premtohej, më në fund kjo Qeveri ta mbyllë si projekt dhe si konstruksion financiar, falë politikave që ndjek, por edhe mbështetjes së madhe nga partnerët tanë evropianë si BEI dhe BERZH. Sigurisht, këtu është edhe Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor e Komisionit Evropian, pra granti që do të jepet në vlerë prej 169 milionë euro, si dhe dy pjesët që do t’i financojnë këto dy institucione financiare”, theksoi Mickoski.

Sa i përket segmentit perëndimor të Koridorit 8 drejt Shqipërisë, kryeministri theksoi se duhet vepruar me kujdes për të respektuar rekomandimet e UNESCO‑s dhe për të mbrojtur rajonin e Ohrit dhe Strugës.

“Ne siguruam 3+2 vjet që të mos vijmë në situatë që qeveritë e ardhshme ta kenë sërish këtë problem, siç e patëm ne si trashëgimi nga qeveritë e mëparshme. Duhet shumë kujdes kur vizatojmë linja në letër, të shohim se si ato linja do të ndikojnë në mjedis dhe në jetët e qytetarëve, sepse për ne është me rëndësi që rajoni i Ohrit dhe Strugës të mbetet trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore e mbrojtur nga UNESCO. Mendoj se për të gjithë të pranishmit këtu kjo është e rëndësishme”, tha Mickoski.

Në nënshkrimin e marrëveshjeve në Qeveri morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska‑Koçoska, zëvendësshefi i Delegacionit të BE‑së Ben Nupnau, drejtori i BERZH‑it për Maqedoninë Fatih Turkmenoglu, drejtori i BEI‑së Bjorn Gabriel, si dhe drejtori i Hekurudhave të RMV – Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër