Mickoski premton zgjidhje për provimin e jurisprudencës në shqip (VIDEO)

Nga B.M
350 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 prill, Zhurnal.mk – Në vigjilje të protestës së nesërme të studentëve shqiptarë lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës, kryeministri Hristijan Mickoski u garantoi studentëve se do të gjejë zgjidhje. Megjithatë, ai u bëri apel studentëve që të mos bëhen vegël në duart e BDI-së, që siç tha ai kishte kohë dy dekada, por nuk e bëri provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Unë i garantoj studentët se siç janë gjetur shumë zgjidhje për shumë sfida dhe shumë lëshime nga e kaluara, ashtu edhe për këtë do të gjendet zgjidhje përkatëse. Unë mendoj se atë tanimë e dinë dhe apeli im është që të mos lejojnë të jenë vegël në duart e partisë politike që ende jeton në kujtimet e së kaluarës, gjegjësisht në kohën e shekullit të kaluar”, deklaroiHristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë BDI-ja, ditëve të fundit aktivisht ka mbështetur studentët që artikulonin kërkesën e tyre para Ministrisë së Drejtësisë. Figurat më të larta të partisë së Ali Ahmetit, i kanë dhënë jehonë thirrjes për mbështetje të protestës.

Zëdhënësja e partisë Arta Bilalli Zendeli shkruan se garancitë për të drejtat siç duket vlejnë vetëm për fushatë, ndërsa as fushatës, zëri i tyre nuk dëgjohet. “Sot studentët janë në rrugë për dinjitet. Ata në zyra, pa zë… sa keq!”, shprehet Bilalli Zendeli. Sekretari i përgjithshëm Arbër Ademi thotë se studentët nuk kërkojnë asgjë më shumë se ajo çfarë u takon. “Si profesor i tyre, ndihem keq që studentët që i kemi mësuar dhe i mësojmë për drejtësi dhe ligj, sot duhet të protestojnë për drejtësi dhe për zbatim të ligjit”, shprehet Ademi.

Megjithatë sipas VLEN-it këto reagime janë manipuluese dhe tentim për ta instrumentalizuar çështjen e studentëve që e kanë lënë peng për dy dekada.

“Për këto gati dy vite në opozitë, BDI nuk ka lënë gjë pa keqpërdorur, vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet politike, madje edhe shqetësimet e studentëve. Sot, pa asnjë kredibilitet moral, përpiqet të instrumentalizojë edhe një çështje që vetë e ka lënë peng. E njëjta parti, me disa ministra të Drejtësisë, sot derdh lot krokodili për një problem që nuk e zgjidhi kur e kishte gjithë pushtetin në dorë. Njëkohësisht, është për t’u habitur se si gjatë 20 viteve pushtet të BDI-së, kur arsimi u nëpërkëmb dhe shumë padrejtësi mbetën pa zgjidhje, nuk u pa as edhe një protestë”, thanë nga VLEN.

• BDI derdh “lot krokodili” për protestën e studentëve për jurisprudencën
• BDI manipulon dhe tenton ta instrumentalizojë protestën

Nga VLEN premtojnë se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe theksojnë, do të marrë epilog pozitiv./Alsat.mk.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër