Shkup, 25 qershor, Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë mohoi se ka shpërndarë notë diplomatike të lidhur me udhëtimin e familjes së kryeministrit Hristijan Mickoski në Pamporovo, pasi rasti shkaktoi një tension të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, raporton DW, transmeton Zhurnal.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë nuk ka publikuar notë diplomatike apo ndonjë korrespondencë formale të lidhur me vizitën e anëtarëve të familjes së një përfaqësuesi zyrtar të një shteti tjetër”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për mediat bullgare.
Reagimi erdhi pasi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, deklaroi se pret që Bullgaria të kërkojë falje për publikimin e një note diplomatike me informacione për familjen e Mickoskit, e cila kishte udhëtuar në vendpushimin dimëror bullgar Pamporovo.
Shpjegimi nga Bullgaria
MPJ e Bullgarisë sqaroi se informacionet që qarkullojnë lidhen me një notë verbale të datës 6 janar 2026, e cila ka të bëjë me ngjarje nga e kaluara.
Sipas tyre, kjo dokumentacion nuk mund të merret si bazë për përfundimin se ekziston kërcënim i menjëhershëm për sigurinë e qytetarëve të Bullgarisë apo të një shteti tjetër.
Ministria gjithashtu thekson se respekton rreptësisht rregullat ndërkombëtare për mbrojtjen e korrespondencës diplomatike.
Reagim diplomatik nga Shkupi
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut thirri ambasadorin bullgar për bisedë pas publikimit të dokumentit me detaje për udhëtimin privat të familjes së Mickoskit. Për rastin u informuan edhe përfaqësues të NATO-s, si dhe partnerët strategjikë të vendit.
Muçunski në konferencë për shtyp shprehu shqetësim serioz dhe theksoi se ambasadorit i është përcjellë një nivel i lartë pakënaqësie për shkak të cenimit të marrëdhënieve diplomatike. Sipas tij, veprime të tilla janë të papranueshme sipas së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjet e anëtarëve të familjeve të funksionarëve shtetërorë.
Muçunski nënvizoi se siguria duhet të jetë prioritet kryesor, duke shtuar se në vend kurrë nuk ka ndodhur që dokumente konfidenciale të këtij lloji të përfundojnë në publik.
Kryeministri Hristijan Mickoski më herët vlerësoi se veprime të tilla nga Bullgaria nuk japin besim për përparimin e bisedimeve për integrimet evropiane. Ai theksoi se bëhet fjalë për një precedent, duke nënvizuar se publikimi i informacioneve nga një notë diplomatike për familjen e tij, e cila ishte në udhëtim, është i palejueshëm.
