Shkup, 03 mars – Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ka premtuar hetim dhe masa lidhur me përgjegjësi eventuale të personelit të Qendrës për Punë Sociale – Shkup, në mos parandalimin e vetëvrasjes së nënës dhe fëmijës së saj në komunën e Karposhit, pas dhunës nga ana e bashkëshortit.
Sipas informacioneve fillestare nga inspektorët, e ndjera së bashku me bashkëshortin janë evidentuar për herë të parë në Qendër në tetor të vitit të kaluar, ndërsa më 2 shkurt tek ata është pranuar një shkresë nga MPB-ja për sulm fizik të bashkëshortit ndaj bashkëshortes, përkujton ministria në fjalë.
“Duke vepruar në përputhje me kompetencat ligjore dhe parimin e kujdesit të duhur, Ministria menjëherë zbatoi mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, me qëllim të përcaktimit të plotë dhe të paanshëm të gjendjes faktike dhe mënyrës së veprimit të institucionit. Sipas informacioneve fillestare nga inspektorët, e ndjera së bashku me bashkëshortin janë evidentuar për herë të parë në Qendër më 07.10.2025, me kërkesë të Gjykatës Themelore Civile për veprim sipas padisë së paraqitur për shkurorëzim. Sa i përket dhunës së raportuar, shkresë nga Ministria e Punëve të Brendshme është pranuar dhe protokolluar në Qendër më 02.02.2026, e cila i referohet një ngjarjeje të ndodhur më 19.12.2025, për kundërvajtje të kryer kundër rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht sulm fizik nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sipas ministrisë, mbikëqyrja inspektuese është në vijim, ndërsa pas përfundimit të saj Ministria do ta informojë në mënyrë transparente opinionin për gjetjet dhe masat e mëtejshme.
“Ministria do ta ndjekë me kujdes rastin dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj për të siguruar përgjegjësi të plotë dhe forcimin e sistemit të mbrojtjes”, thuhet më tej në komunikatën e ministrisë.
“çdo lëshim i mundshëm, mosveprim në kohë apo mosrespektim i detyrimeve ligjore duhet të përcaktohet plotësisht dhe përgjegjësia duhet të mbahet në përputhje me ligjin. Mbrojtja e viktimave të dhunës dhe parandalimi i dhunës në familje janë prioritet i lartë dhe nuk do të lejojmë që dobësitë institucionale të mbeten të paadresuara,” tha ministria.
Në lagjen Karposh dje pas orës 14, një nënë me fëmijën e saj, u hodhën nga ballkoni dhe të dyja ndërruan jetë. Prokuroria njoftoi sot se për rastin është mbajtur një person në stacionin policor./Zhurnal.mk
Ministria premton hetim dhe masa lidhur me vetëvrasjen e nënës dhe fëmijës në Karposh
272

