Tiranë, 11 shtator, Zhurnal.mk – Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 40 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive, 9 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se në përballimin e situatës janë angazhuar 492 forca operacionale vendore dhe lokale, si dhe 36 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 133 efektivë, 1 helikopter, 2 automjete zjarrfikëse, 13 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.
Në Qarkun e Tiranës vijon aktiv zjarri në Malin e Dajtit, pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës së sotme, Forcat e Armatosura do të angazhojnë 30 efektivë në Dajt, në mbështetje të operacioneve në terren. Ndërkohë, vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe mbahet nën monitorim.
Në Qarkun e Dibrës vijojnë aktive vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë, ku po punojnë strukturat zjarrfikëse, pyjore, bashkiake dhe të emergjencave civile. Vatra në Qafën e Helmes mbahet nën mbikëqyrje.
Në Qarkun e Shkodrës aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz, ndërsa vatrat në Rragam–Bardhaj–Myselim dhe në Malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje. Sipas të dhënave, nuk raportohen banesa në rrezik. Sot, 20 efektivë të Forcave të Armatosura do të angazhohen në Rragam, në mbështetje të operacioneve.
Në Qarkun e Fierit vijon aktive vatra në Çërrilë, Mallakastër, në një sipërfaqe me pyll pishe, lis dhe shkurre. Gjatë ditës së djeshme, Forcat e Armatosura mbështetën operacionin me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete. Për ditën e sotme janë planifikuar 30 efektivë të FA në Çërrilë, për të vijuar mbështetjen e strukturave në terren.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje.
Për ditën e sotme, Forcat e Armatosura kanë planifikuar angazhimin e të paktën 80 efektivëve në Dajt, Çërrilë dhe Rragam, krahas strukturave vendore dhe forcave të tjera operacionale.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
