Shkup, 10 qershor, Zhurnal.mk – “Sepse ne kemi një të ardhme që duhet të na bashkojë. Dhe nga ajo pikëpamje, kur flasim për zgjidhjen e vitit 2022, ne duhet të funksionojmë në një sistem që nënkupton besim të ndërsjellë. Qëndrimi ynë është se kemi interpretime të ndryshme për atë që pritet nga vendi ynë lidhur me vendimin e vitit 2022”, deklaroi ministri i Jashtëm I RMV-së, Timço Mucunski, para fillimit të Samitit të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL), që po zhvillohet në Sofje.
Ai theksoi se qëllimi nuk është vetëm hapja e negociatave të anëtarësimit, por edhe mbyllja e suksesshme e tyre. Për ta arritur këtë, sipas tij, është e rëndësishme që Maqedonia të dijë se nuk do të ketë kërkesa shtesë të lidhura me historinë, identitetin dhe gjuhën, si dhe çështje të tjera bilaterale që mund të shfaqen pas fillimit të negociatave – siç janë komisionet historike, të cilat, siç tha, nuk janë çështje themelore evropiane.
“Prandaj them – është mirë të bisedojmë dhe të sqarojmë se cilat janë pritjet nga të dyja palët, sepse, megjithatë, ka një element të fortë bilateral në gjithë këtë. Pikërisht aty janë keqkuptimet më të mëdha”, tha Mucunski.
Ai shtoi se është i bindur se identitetet e forta nuk kanë nevojë të ndërtohen përmes sulmeve ndaj identiteteve të tjera. Duke iu drejtuar mediave, shumica nga vendi mikpritës i Samitit, ai theksoi se në Evropën e shekullit XXI duhet të kemi kapacitetin të festojmë dallimet tona, të respektohemi dhe të mos lidhemi me çështje të historisë, identitetit e gjuhës, por të shohim drejt së ardhmes së përbashkët që na bashkon.
“Kur flasim për aspektin bilateral mes dy shteteve, ajo që gjithmonë e them është se interesi i përbashkët është të ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Ai shtoi se të dyja shtetet do të përfitojnë shumë nga ky proces, duke theksuar se dëshiron ta bindë palën tjetër se Maqedonia ka qëllimet më pozitive për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë dhe arsimit.
“Personalisht, si profesor universitar kam marrë pjesë në pafund ngjarje, konferenca ndërkombëtare, pikërisht këtu në Sofje”, shtoi ai.
Mucunski theksoi se zhvillimet e viteve të fundit, duke aluduar në mosmarrëveshjen mes dy shteteve që e bllokoi procesin eurointegrues të Maqedonisë, i ndajnë artificialisht popujt, por ajo që është e rëndësishme është të kemi vizion drejt së ardhmes dhe të mos lidhemi me çështje të së kaluarës, identitetit, historisë dhe gjuhës.
Ai përfundoi duke thënë se Maqedonia ka përgatitur një plan veprimi të shkëlqyer për pakicat, jo vetëm për atë bullgare, por për të gjitha pakicat në vend, në bashkëpunim me ekspertë të deleguar nga Këshilli i Evropës. “Por, ajo që është e rëndësishme, për të ecur përpara, është të punojmë në periudhën e ardhshme për ndërtimin e besimit të ndërsjellë”, tha Mucunski.
Sipas tij, me dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë, nuk ka sfidë që nuk mund të zgjidhet, nëse ka vullnet dhe nëse të gjitha palët janë të përkushtuara ndaj idesë evropiane.
