Editorial / Shëndetësia po shkon drejt kolapsit! Klinika e re të jetë “top prioritet”

Nga R.ZH
1,951 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 qershor, Zhurnal.mk – Ndërtimit i një qendre të re klinike në Shkup thuajse po diksutohet për 20 vite me radhë, por asnjë qeveri nuk mori një vendim konkret për ta ndërtuar. Kësaj radhe edhe kryeministri Mickoski tha se do e ndërtojë klinikën e re, por në një lokacion të ri,përballë spitalit aktual “8 shtatori”. Edhe pse projekti ka qenë i ngarkuar me mosmarrëveshje politike, ide dhe bllokime në të kaluarën për vite me radhë, fokusi tani është në çuarjen përpara të tij dhe gjetjen e një zgjidhjeje konkrete. Klinika e re është e patjetërsueshme dhe duhet të ndërtohet sa më shpejt sepse ata që pësojnë më së shumti janë qytetarët, shkruan “Zhurnal.mk”.

Klinika u nis disa herë, por asnjëra nuk u bë!

Ndërtimi i një qendre të re klinike ka qenë subjekt i konflikteve, ideve dhe bllokimeve politike për më shumë se dy dekada.

Hapi më konkret u ndërmor në vitin 2015, kur qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE nënshkroi një marrëveshje me një konsorcium prej tre kompanish për të ndërtuar një ndërtesë të re brenda kompleksit ekzistues klinik “Nënë Tereza”, me vlerë rreth 72 milionë euro.

Pas ndërrimit të qeverisë në vitin 2017, qeveria e re e LSDM-së e ndërpreu këtë marrëveshje dhe zgjodhi një koncept krejtësisht të ri — ndërtimin e një qendre klinike krejtësisht të re jashtë qendrës së qytetit. Në vitet në vijim, LSDM punoi në një projekt për një qendër të re klinike, fillimisht në Bardovcë dhe më pas në Gjorçe Petrov, për të cilën u siguruan fonde përmes Bankës së Këshillit të Evropës. Megjithatë, as ky projekt nuk u realizua, pjesërisht për shkak të kompleksitetit të projektit, kostos së tij të lartë dhe mosmarrëveshjeve politike.

Projekti u vlerësua në rreth 420-500 milionë euro. Në atë kohë, VMRO-DPMNE, si opozitë, e bllokoi ligjin me mbi 2,000 amendamente. Partia pretendoi se projekti ishte shumë i shtrenjtë, se nuk kishte dokumentacion të gatshëm zbatimi dhe se ekzistonte rreziku i abuzimit. Në vend të kësaj, ata propozuan rinovimin e qendrës klinike ekzistuese, ndërtimin e një Qendre të re Emergjente dhe lidhjen e saj me “8 Shtatori”, shkruan “Zhurnal.mk”.

Çfarë parashikon propozimi i qeverisë!

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Qeveria po shqyrton një lokacion të ri për ndërtimin e një qendre klinike moderne në Shkup, përkatësisht zonën pranë pishinës Boris Trajkovski. Sipas tij, ky lokacion ofron infrastrukturë të shkëlqyer: qasje në dy bulevarde, afërsi me rrugën anësore dhe mundësinë e lidhjes me një gazsjellës.

Nëse objekti ndërtohet në këtë pozicion, mund të tërheqë pacientë jo vetëm nga vendi, por edhe nga rajoni.

Toka ku duhet të bëhet ndërtimi është në pronësi private, por qeveria tashmë po negocion një shkëmbim të truallit, i cili do të pasohet nga një ligj i posaçëm për të ndryshuar qëllimin.
Projekti nuk përfshin vetëm një strukturë të re, por një kompleks të tërë kujdesi shëndetësor siç është kalim nëntokësor i trafikut nën bulevardin “Ilindenska”, lidhje me spitalin “8 Shtatori”, dhe integrim me qendrën Poliklinikën e Bukureshtit.

Kjo qasje duhet të krijojë një qendër klinike funksionale dhe të organizuar në mënyrë moderne. Nëse procedurat përfundojnë me sukses, atëherë aktivitetet e para të ndërtimit duhet të fillojnë vitin e ardhshëm, shkruan “Zhurnal.mk”.

Klinika e re është nevojë urgjente dhe e patjetërsueshme

Qeveria nuk duhet të bëjë vetëm marketing me këtë projekt, siç ka ndodhur në të kaluarën. Një klinikë e re është shumë e nevojshme dhe e patjetërsueshme sepse më së shumti që pësojnë janë qytetarët. Prandaj, është shumë e qartë se duhet të përshpejtohet sa më parë ndërtimi i Klinikës së re.

Me ndërtimin e klinikës së re, do të shmanegn edhe shpenzimet e pacientëve të dërguar nëpër spitale private, nga mos pasja e kushteve për operime, intervenime, pastërti e rregull nëpër spitalet aktuale.

Andaj, qeveria duhet ta vendos në “top prioritet” spitalin e ri, qoftë edhe duke ndërprerë projekte tjera, të cilat nuk janë shumë urgjente. Të gjitha kapacitetet e qeverisë duhet të mobiliziohen dhe të sigurohen mjete të cilat do të mjaftojnë për ndërtimin dhe vënien në funksion të kësaj klinike.

Spitalet janë parakolapsit, ndërsa pacientët edhe pse janë të shtrirë në spitale, ata pothuaj se gati të gjitha ilaqet po i blejnë nga buxheti i tyre.

Se sistemi shëndetësor është në krizë të madhe është edhe vlerësimi i Numbeo Health Care Index by Country 2026, e cila e rendit Maqedoninë e Veriut në vendin e 79-të në botë, që do të thotë se vendi ynë hyn në në grupin e 25 shteteve me renditjen më të ulët të shëndetësisë sipas vlerësimit të pacientëve për kujdesin shëndetësor. Indeksi nuk është matje zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por tabelë krahasuese të bazuar në mendime dhe përvoja të pacientëve për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, pajisjet, personelin, mjekët, shpejtësinë, qasshmërinë dhe shpenzimet.

Sipas tabelës primare të Numeos, Maqedonia ka Health Care Index 55,4 dhe Health Care Exp. Index 99,3, që e vendos në vendin e 79-të nga gjithsej 100 shtete në renditjen për vitin 2026. Para Maqedonisë janë Ukraina me indeks 55,8 dhe Gjeorgjia me 56,3, ndërsa menjlherë pas saj janë Bosnjë dhe Hercegovina me 54,6, Algjeria me 54,5 dhe Hungaria me 54,2.

Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut është larg vendeve me rezultatet më të larta për mbrojtjen shëndetësore. Indeksi vlerëson perceptimin e cilësisë së përgjithshme të sistemit shëndetësor, duke përfshirë stafin mjekësor, pajisjet, personelin, mjekët dhe shpenzimet.

Pozicioni i ulët i Maqedonisë së Veriut është sinjal i rëndësishëm, pasi perceptimi i përdoruesit formohet më shpesh përmes përvojave të përditshme – caktimi i terminevee, disponueshmëria e terapisë, qëndrimi i institucioneve, gjendja e spitaleve dhe besimi në sistem. Andaj, duke i pasur parasysh të gjitha këto parametra, Qeveria nevojitet urgjentisht të marrë masa të duhura për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe ndërtimin e një Klinike të re në kryeqytet, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër