Shkup, 6 gusht, Zhurnal.mk – Në tekst rikujtohet se Maqedonia ka status kandidat për anëtarësim që nga viti 2005 dhe është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të BE‑së, por edhe pas dy dekadash ende nuk i ka nisur negociatat thelbësore të anëtarësimit.
“Po, ndonjëherë jemi shumë të frustruar për shkak të mungesës së rezultateve politike”, deklaroi Mucunski, duke shtuar se Maqedonia është shndërruar në “studim rasti” për mënyrën se si mosmarrëveshjet bilaterale mund ta pengojnë procesin e zgjerimit të Unionit.
Duke iu referuar përparimit të vendeve të tjera kandidate, “Politico” thekson se Mali i Zi po avancon me ritëm të shpejtë drejt anëtarësimit, Shqipëria ka mbyllur disa kapituj negociues, ndërsa Ukraina dhe Moldavia po i çojnë negociatat përpara, ndërkohë që Maqedonia për më shumë se 20 vjet nuk ka mbyllur asnjë kapitull.
“Të thuhet se ndaj nesh është vepruar padrejtësisht është formulim tepër i butë”, theksoi Mucunski.
Në intervistë rikujtohet se Maqedonia e ndryshoi flamurin në vitin 1995, ndërsa emrin kushtetues në vitin 2019, pas së cilës procesi eurointegrues u bllokua për shkak të kërkesës së Bullgarisë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Sipas Mucunskit, ideja për ndryshimet kushtetuese është bërë politikisht e ndjeshme për shkak të shumë kompromisëve që vendi ka bërë në të kaluarën, ndërsa qytetarët nuk besojnë më se me përmbushjen e kërkesave aktuale nuk do të pasojnë kushte të reja.
“Kjo është abuzim absolut me pozicionin e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian”, tha ministri.
Ai vlerësoi se edhe Bullgaria do të kishte përfitime të mëdha nga përparimi i Maqedonisë drejt anëtarësimit në Union dhe shtoi se, pavarësisht të gjitha sfidave, vendi nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës evropiane.
“Vendi ynë nuk ka luksin të ketë alternativë B apo alternativë C”, porositi Mucunski.
