Bruksel, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë sot në Bruksel, shkeljet e fundit të hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia.
Një zëdhënës i NATO-s bëri të ditur se për këtë çështje nuk është thirrur një mbledhje e posaçme, por diskutimet do të zhvillohen në kuadër të konsultimeve të rregullta të aleancës.
Bisedimet zhvillohen në një kohë kur në Berlin po mbahet sesioni i 72-të vjetor i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Në takim pritet të marrin pjesë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, si dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili do të lidhet përmes videokonferencës.
Më vonë gjatë ditës, kancelari gjerman Friedrich Merz do të presë Rutte në selinë e Kancelarisë në Berlin.
Sipas qeverisë polake, tre raketa ruse hynë të premten në hapësirën ajrore të Polonisë,anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s,gjatë sulmeve ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës dhe u rrëzuan në juglindje të vendit.
Gjatë vizitës dje në Poloni, Rutte deklaroi se Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, do të bëjë gjithçka të mundur për të identifikuar rreziqet ndaj sistemit perëndimor të parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe për të përcaktuar nëse nevojiten ndryshime në këtë drejtim.

