Ndërron jetë ish-Prokurori i Përgjithshëm Alush Dragoshi, mesazhe ngushëllimi

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Prokuroria e Përgjithshme përcolli sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Alush Dragoshi.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se Dragoshi ishte një nga figurat e drejtësisë shqiptare në vitet e para të tranzicionit demokratik (1992-1997), duke dhënë kontributin e tij në drejtimin e institucionit në një periudhë të rëndësishme dhe sfiduese për vendin.

Prokuroria e Përgjithshme, në emër të gjithë prokurorëve, i shprehu ngushëllimet më të thella familjes.

Për ndarjen nga jeta të ish-Prokurorit Dragoshi, reagoi edhe Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari.

Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari u shpreh se Dragoshi ishte nga ata burra që rrallë i ndesh në jetë.

“Një burrë fisnik nga Kukësi, i drejtë, i ndershëm, me integritet të lartë moral e profesional. Një njeri që dinjitetin nuk e kishte thjesht virtyt, por mënyrë jetese. Besimi në Zot, mirësia dhe respekti për njerëzit ishin pjesë e pandashme e shpirtit të tij”, tha ai.

Hajdari tha se me ndarjen nga jeta të ish-Prokurorit Dragoshi drejtësia shqiptare humbi një shërbestar me integritet të lartë dhe familja një njeri të shtrenjtë.

artikuj të ndërlidhura