Tiranë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Në përfundim të seancës gjyqësore për verifikimin e masës së sigurisë dhe marrjen në pyetje të Fatjon Kallucit dhe Embro Sulejmanit, është vendosur të lihet në fuqi masa e ‘arrestit me burg’.
Të dy janë arrestuar në kuadër të një procedimi që lidhet me dyshimet për përkrahjen e Ergys Agasit gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim, raporton euronews.al.
Sipas të dhënave të bëra publike në kuadër të hetimit, Fatjon Kalluçi, në detyrën e shefit të Policisë Shkencore, dyshohet se në muajin gusht, përpara arrestimit të Agasit, i ka dërguar atij tre foto të ekspertizës së automjetit tip “Land Rover Defender”, me targë GG444AA, i cili ishte gjetur në “Equos Resort”.
Ndërkohë, sipas hetimeve, kryekamarieri dyshohet se i dërgonte ushqime në banesën ku qëndronte i fshehur Ergys Agasi. Këto të dhëna mësohet se janë zbuluar në telefonin e Agasit.
Në orën 12:00 pritet të zhvillohet edhe seanca për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni.
