Ky artikull është një version i redaktuar nga gazeta The Guardian, i një kolumne të shkruar nga gazetari dhe shkrimtari spanjoll Carlos Hernández de Miguel, botuar pas vdekjes së tij, fillimisht në elDiario.es. Hernándezi, i cili ishte 56 vjeç kur vdiq më 3 shkurt 2026, mbuloi konfliktet në Kosovë, Palestinë, Afganistan dhe Irak. Së fundmi, kaloi disa vite duke hulumtuar aspektet e diktaturës së Frankos dhe duke kontribuar për elDiario.es.
Nga: Carlos Hernández de Miguel / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
I dashur lexues, për herë të parë, qëkur u bëra gazetar, më duhet të të them se do të doja të mos ishe duke lexuar këtë që kam shkruar. Sepse, nëse po e lexon këtë, kjo do të thotë se nuk jam më në këtë botë – apo në ndonjë tjetër. Kam vdekur. Dreqi e marrtë, është e vështirë ta shkruash këtë, por kështu është puna. Kam vdekur dhe nuk dua të largohem pa thënë lamtumirë dhe pa i dhënë disa mendime të fundit.
Kam qenë person fatlum. Kam pasur fatin të lind në një vend evropian që, megjithëse ende nën zgjedhën e regjimit të Frankos, shumë shpejt më pas nisi të përparonte ekonomikisht, shoqërisht dhe politikisht. Fati, dhe vetëm fati, e bëri fatin tim pafundësisht më të lehtë se atë të qindra milionë fëmijëve që lindin në rajone të botës që janë të shkatërruara nga uria, varfëria dhe lufta.
Edhe në këtë moment të vështirë që po kaloj, nuk mendoj se kam të drejtë të ankohem apo të vajtoj për gjendjen time. Si mund të luaj rolin e viktimës duke i ditur këto pabarazi dhe padrejtësi historike? Si mund të ankohem për fatin tim kur shohim çfarë po ndodh edhe tani, në Afrikë, Afganistan, Ukrainë, Jemen, Iran apo në Palestinë? Nuk mund ta them me siguri, por paramendoj se mendimi im i fundit – imazhi i fundit që do të më kalojë në mendje përpara se të fikem – do të jetë ai i fëmijëve të masakruar në Gazë dhe i palestinezëve të mbijetuar që përballen me një të ardhme të tmerrshme. Ajo që di me siguri është se do ta lë këtë botë pa e kuptuar pse komuniteti ndërkombëtar zgjodhi të qëndronte i pandjeshëm, ndërsa Izraeli kryente një gjenocid para syve të tij, të transmetuar drejtpërdrejt, minutë pas minute, masakër pas masakre.
Vendosa të bëhem gazetar sepse besoja sinqerisht se, duke raportuar me rigorozitet dhe ndershmëri, mund ta përmirësonim këtë botë. Ende e besoj këtë. E di që gjatë karrierës sime profesionale kam bërë gabime, kam duruar gjërat (shpresoj vetëm disa) që duhej t’i kisha refuzuar, dhe nuk kam qenë aspak gazetar i përkryer. Pavarësisht kësaj, mund të kthehem pas dhe ajo që shoh nuk më shqetëson. Mund të them se kurrë, kurrë nuk kam gënjyer, nuk kam manipuluar dhe nuk kam fshehur informacion. Në të gjitha raportimet e mia, qofshin nga Madridi, Bilbao, Sevilja, Kabuli, Jerusalemi apo Bagdadi, jam përpjekur t’i mbaj përgjegjës ata që janë në pushtet, jam përpjekur të tregoj çfarë po ndodhte dhe t’u jap zë atyre që nuk kishin zë. Zë për viktimat; kritikë për autorët. Pa neutralitet. Pa paqartësi. Dhe, për këtë arsye jam veçanërisht krenar që nuk kam arritur aq lart sa mund të kisha arritur. Madje, jam pushuar nga puna sepse u përpoqa të mbetesha besnik ndaj parimeve të mia.
Nga kolegët me përvojë mësova ato që vlerësoj se janë dy parimet e gazetarisë. I pari është ai se objektiviteti nuk është e njëjta gjë me neutralitetin. Nëse ka një agresor dhe një viktimë, një gënjeshtar dhe një njeri të ndershëm, një të korruptuar dhe një të ndershëm, atëherë detyra jote është ta përshkruash këtë qartë dhe fuqishëm. Jam lodhur nga ata që besojnë se të jesh gazetar do të thotë të raportosh versionet e të dyja palëve, pa filtra, pa vënë në dyshim vërtetësinë e tyre, sidomos – dhe kjo është më e keqja dhe tepër e zakonshme – kur ti e di që njëra palë nuk po e thotë të vërtetën.
Parimi i dytë është se, për të qenë gazetar i mirë, është jetike të jesh njeri i mirë.
Unë gjithmonë shtoj edhe një të tretë. Gazetaria nuk është thjesht një profesion tjetër. E drejta e shoqërisë për të qenë e informuar mirë mbështetet në punën tonë. Liria, barazia dhe demokracia varen nga puna jonë – megjithëse jo vetëm prej saj. Prandaj, nuk ka justifikim për të gënjyer apo për të fshehur informacionin. Nëse e bëjmë këtë, duhet të mbajmë përgjegjësi profesionale, madje edhe penale.
Kam pasur fatin ta përjetoj politikën si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Nëse ka diçka që kam mësuar, është se jo, jo të gjithë politikanët janë njësoj. Ka burra dhe gra që besojnë vërtet se misioni i tyre është të përmirësojnë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse ata qytetarë kanë votuar për ta ose jo.
Natyrisht, ka edhe politikanë të tjerë – shumë më tepër sesa duhet – të shtyrë nga korrupsioni dhe etja e pangopur për pushtet. Duhet të luftojmë kundër tyre, të ndryshojmë gjërat e panumërta dhe ta përmirësojmë të gjithë sistemin, por duhet ta bëjmë këtë përbrenda vetë politikës. Duhet ta bëjmë këtë, sepse gjithçka në jetë është politikë ose ndikohet nga politika. Prandaj, le të bëhemi të kujdesshëm ndaj atyre që sulmojnë politikën, partitë politike, sindikatat dhe demokracinë. Alternativa ndaj demokracisë është diktatura, pavarësisht çfarë eufemizmi tërheqës përdorin disa. Alternativa ndaj partive politike dhe sindikatave është sistemi njëpartiak dhe një sindikatë e kontrolluar nga shteti. Ka shumë – tepër shumë – hapësirë për përmirësim, por rruga nuk është ajo që na tregon e djathta ekstreme globale.
Kam pasur fatin t’ia kushtoj fazën e fundit të jetës sime profesionale hulumtimit dhe përhapjes së historisë së afërt të Spanjës. Takimi me të mbijetuarit e kampeve naziste dhe frankiste të përqendrimit, si dhe me familjet e tyre, ka qenë një nga dhuratat më të mëdha që më ka dhënë jeta. Viktimat e nazizmit dhe diktaturave të tjera nuk reshtën kurrë së përsërituri, sepse fashizmi nuk kishte vdekur, se ai ende fshihej, duke pritur momentin për t’u rishfaqur. Prandaj, ka qenë, është dhe do të jetë kaq e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për historinë. Të shohësh pas është mënyra më e mirë për t’u përballur me të tashmen, për të shmangur përsëritjen e gabimeve dhe për t’u përgatitur për kërcënimet e ardhshme. Të shohësh pas të tregon se liria, jeta dhe demokracia nuk janë kurrë të garantuara dhe se duhet të luftojmë çdo ditë për t’i ruajtur.
Tani do ta mbyll. Një e re dhe shumë e dashur, e cila ishte e vetëdijshme se fundi i saj mund të vinte në çdo moment, më tha: “Jeta është një privilegj”. Në atë kohë nuk i vlerësova fjalët e saj. Por, i dashur lexues: shijoje jetën, ji i lumtur, vlerëso atë që ka vërtet rëndësi, largohu nga toksiciteti dhe trego empati … shumë empati.
Do të doja ta mbyllja këtë artikull duke thënë se do të ribashkohem me të gjithë miqtë dhe të afërmit që kam humbur ndër vite. Do të doja ta thosha, por nuk besoj në asnjë zot. Teksa shkruaj këta rreshta të fundit, jam i vetëdijshëm se gjithçka që kam përpara është një zbehje drejt së zezës. Një zbehje drejt së zezës që, në mënyrë paradoksale, është ajo që i jep kuptim ekzistencës sonë.
Ju uroj të gjitha të mirat dhe shpresoj të kënaqeni, sepse, po, jeta është një privilegj i madh.

