Ngritja dhe rënia e BDI-së

Nga B.M
2,292 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 prill, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë dhe mbetet partia më e madhe shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ajo është partia më jetëgjatë në pushtet, duke shënuar një epokë të tërë në politikën shqiptare të vendit. Kjo periudhë afatgjate udhëheqjeje në vend nuk do mend që shoqërohet me një mal kritikash për gabimet në veprime e një pjesë të mirë e zënë edhe punët dhe projekte që kanë arritur të realizojnë.

Sot, pas më shumë se dy dekadash dominim, BDI ndodhet në opozitë dhe një realitet i ri që ka hapur debat të gjerë mbi trashëgiminë e saj politike dhe perspektivat e ardhshme, shkruan Zhurnal.mk

Si u fut BDI në skenën politike?

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) u themelua në vitin 2002, pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit. Duke u paraqitur si përfaqësues legjitim i ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe si garant i të drejtave kolektive të shqiptarëve, BDI arriti të mobilizojë një bazë të gjerë elektorale. 

Në zgjedhjet e para parlamentare pas konfliktit, ajo doli fituese absolute në kampin shqiptar, duke e vendosur veten si faktor të rëndësishëm në politikën e vendit. Ky moment shënoi hyrjen e saj triumfale në skenën politike, duke e pozicionuar atë si parti që mishëronte aspiratat e shqiptarëve për barazi dhe integrim. 

Si u ngrit BDI?

Pas hyrjes në pushtet në vitin 2002 BDI vazhdoi të jetë pjesë e qeverisë deri në vitin 2006. Dy vitet e opozitës 2006–2008 shërbyen si periudhë reflektimi në opozitë, pasi PDSH e atëhershme ishte marr vesh me VMRO-në të bashkëqeverisnin, por nga viti 2008 e deri në vitin 2024, BDI përsëri ishte pjesë e pandërprerë e pushtetit. 

Përgjatë këtyre viteve, ajo realizoi projekte të shumta infrastrukturore, arsimore dhe institucionale. Kulmi i ambicies së saj politike u arrit në vitin 2024, kur ideja e kryeministrit shqiptar me 100 ditë mandat të përkohshëm u bë realitet, por jo mëshumë se një simbolikë, për ndryshim nga posti afatgjatë i kryetarit të kuvendit, tëcilin tash e kanë edhe kundërshtarët e saj politik nga kampi shqiptar.

Si ra BDI?

Në vitin 2024, opozita shqiptare e copëtuar ndër vite arriti të konsolidohej. Subjektet politike që dikur ishin “pikë e pesë” u bashkuan dhe formuan koalicionin VLEN, duke e dërguar BDI-në në opozitë. Narrativa e re politike e kundërshtarëve e paraqiti BDI-në si parti të konsumuar, të lidhur me pushtetin dhe të akuzuar për dëm ndaj interesave shqiptare. Ky perceptim, i kombinuar me lodhjen e elektoratit pas më shumë se dy dekadave në pushtet, solli rënien e saj historike.

Por, padyshim që rënien e kësaj partie kanë shoqëruar edhe aferat korruptive të disa pjesëtarëve të saj.

E rënia e madhe filloi kur një grup i pakënaqur për vendimet e kryetarit të partisë filluan ta shprehnin revoltën e tyre për t’u shkëputur nga partia me nofkën “grupi i zjarrit”. Një pjesë e këtij grupi u larguan nga BDI dhe hapën rrugë për rënien e kësaj partie. 

Gjasat për rikthimin e BDI-së në pushtet

Pas konsolidimit të VLEN-it, i cili më 9 maj paralajmëroi shndërrimin në një subjekt të vetëm, rikthimi i BDI-së në pushtet duket shumë i vështirë. Megjithatë, kjo parti pavarësisht daljeve të shumta nga radhët e saj, vazhdon të mbetet aktive në skenën politike. 

Takimet e përjavshme dhe mbajtja gjallë e strukturave partiake tregojnë se BDI nuk ka ndërmend të zhduket nga arena. Rikthimi është i vështirë por jo i pamundur. Historia politike shpesh ka treguar se partitë e konsumuara në pushtet mund të reformohen në opozitë dhe të rikthehen me platforma të reja e lidership të freskët.

Kujtojmë që, shkëlqimi i BDI-së lidhet me faktin se ajo arriti të jetësojë pjesërisht aspiratat historike të shqiptarëve në RMV, duke u bërë faktor i të fuqishëm për më shumë se dy dekada. Rënia e saj lidhet me konsumimin e gjatë në pushtet dhe me bashkimin e partive opozitare të atëhershme të cilat ishin të copëtuara. E ardhmja e BDI-së varet kryesisht nga fakti nëse arrin të reformohet dhe të ofrojë një narrativë të re që i përgjigjet nevojave të shqiptarëve në një realitet të ri politik e me garim konkurent ndryshe nga 22 vitet e së kaluar të saj. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër