Nikolloski dhe Zomer diskutojnë për turizmin dhe lidhjet ajrore

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, sot zhvilloi një takim pune me ambasadorin e Zvicrës, Kristof Zomer, me të cilin shkëmbyen mendime për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, me theks të veçantë në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimit tregtar dhe hapjen e mundësive të reja për investime, informojnë nga Ministria.

Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve infrastrukturore dhe mundësive për përfshirjen e kompanive zvicerane në realizimin e aktiviteteve investuese të shtetit. Zëvendëskryeministri Nikolloski u bëri thirrje kompanive zvicerane që të shqyrtojnë mundësitë për investime, duke theksuar se Maqedonia është e hapur për partneritete dhe investime të reja.

“Në takim u diskutua edhe për mundësitë e zhvillimit të turizmit dhe avancimit të lidhjeve ajrore mes dy vendeve, si parakusht i rëndësishëm për rritjen e shkëmbimit turistik, ndërlidhjen e qytetarëve dhe forcimin e potencialeve ekonomike“, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Transportit.

Avancimi i marrëdhënieve me Zvicrën dhe tërheqja e investimeve të reja, siç theksojnë nga Ministria, mbeten pjesë e rëndësishme e prioriteteve të Qeverisë për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe hapjen e mundësive të reja për qytetarët dhe komunitetin e biznesit.

artikuj të ndërlidhura