Shkup, 29 prill – Opozita shqiptare e në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim javëve të fundit ka intensifikuar kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Largimi i Taravarit nga VLEN ka rikthyer shpresat se nëse ka zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale në vjeshtë, mund të ketë ndryshime. Megjithatë këto kërkesa janë mohuar kategorikisht nga partnerët e koalicionit edhe VMRO DPMNE por edhe VLEN. Është shumë e qartë se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme!, shkruan Zhurnal
Partnerët qeveritar – Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me zgjedhje lokale është mbyllur
Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski ka thënë se çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me zgjedhje lokale është mbyllur. Këtë vjeshtë, qytetarët do të vendosin se cilët do të jenë këshilltarët dhe kryetarët e bashkive të tyre, ndërsa zgjedhje të rregullta parlamentare do të ketë në vitin 2028.
“Vitin e kaluar, qytetarët shprehën qartë vullnetin e tyre dhe thanë se kush mendojnë se duhet ta udhëheqë qeverinë. Ne kemi një shumicë prej pothuajse dy të tretash prej 78 deputetësh dhe ka interes për ta rritur atë. Dhe nëse do të donim, ndoshta mund të shkonim mbi 81-82 deputetë pa asnjë problem. Pra, mendoj se qytetarët ishin të qartë, vendimtarë vitin e kaluar. Ka zgjedhje të rregullta lokale. Qytetarët do të dalin, do të thonë se kush duan të jenë këshilltarët e tyre, kryetarët e bashkive dhe kaq për aktivitetet zgjedhore për këtë vit”, tha Nikoloski.
Nga ana tjetër VLEN thekson se vetëm të verbërit politik nuk shohin se nëse zgjedhjet lokale dhe parlamentare mbahen bashkë, VMRO-DPMNE do të fitojë mbi 60 deputetë. “BDI nuk nxori asnjë mësim. Përkundrazi, vazhdon ta forcojë VMRO-DPMNE-në me gënjeshtra për kinse “deshqiptarizim”, duke frikësuar popullin e vet me përralla boshe”, theksojnë nga VLEN.
Në të njëjtën linjë është edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Ai thotë se shumica parlamentare është stabile pavarësisht nëse dikush del apo hyn për shkak të trazirave në koalicionin VLEN. “Nuk mendoj se ka nevojë për panik, shumica është stabile, mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë pavarësisht nëse dikush hyn apo del. Domethënë nuk do të ketë një ndryshim të madh në numrin e deputetëve. Shumica është shumë e qëndrueshme, tashmë kemi rreth dy të tretat”, thotë Gashi.
Ndërkaq, kryetari i ASH-së, pjesë e Frontit Europian, Ziadin Sela tha se personalisht mendon se bashkë me zgjedhjet lokale, do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Unë mendoj, si politikan, që bashkë me zgjedhjet lokale, do të kemi edhe zgjedhje parlamentare dhe ne jemi për variantin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe sipas zhvillimeve që ndodhin, çdo hap politik që ndodh, i bën më të përafërta idetë, të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare bashkë me lokalet, dhe ne jemi për këtë opsion”, tha Sela.
Zgjedhjet e shpeshta nuk janë zgjidhje për çdo situatë
Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe ato duhet të mbahen në tetor të këtij viti. Por, qytetarët janë lodhur nga zgjedhje të parakohshme dhe nuk duhet të jemi gjithmonë aq të kapur nga ethet dhe adrenalina zgjedhore. Kështu që nuk ka nevojë të bëjmë zgjedhje për gjithçka.
Zgjedhjet lokale duhet t’i kuptojmë nga natyra e tyre, siç janë në thelb dhe të zgjidhen hallet e qytetarëve. Të flitet për kanalizime, ujësjellës, rrugë më të pastra, ndriçim dhe nuk duhet të sjellim politikë të lartë në zgjedhjet lokale. Në zgjedhje lokale qytetarët duhet të vendosin për individët të cilët i njohjin, tek të cilët mund t’i qajnë hallet e përditshme dhe nga të cilët do të kërkojnë llogari direkte.
Nëse zgjedhjet parlamentare mbahen së bashku me ato lokale, sigurisht se ato lokale do të bien në hije dhe askush nuk do të flasë për problemet reale të qytetarëve, por do të fliten tema të politikës së lartë.
Edhe në aspektin financiar, zgjedhjet parlamentare do të kërkojnë angazhim të dyfishtë, sepse partitë do të duhet të kenë vëzhguesit e tyre në gjithë territorin e vendit, ndërsa me zgjedhjet lokale, partitë fokusohen nëpër komunat ku ata kanë më shumë interes.
Në aspektin ndërkombëtar dhe në sytë e investitorëve të huaj, nëse mbajmë zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ketë pasiguri dhe do të dalim si shtet joserioz. Tek investitorët me rëndësi është siguria politike dhe në këtë aspekt, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të japin sinjalin se diçka nuk shkon siç duhet.
Prandaj, jo çdoherë zgjedhjet janë zgjidhje për çdo gjë. Maqedonia e Veriut duhet të dëshmojë siguri, stabilitet dhe zhvillim.