“Nuk i përmbushëm premtimet tona”: Gjermania i bën presion BE-së për Ballkanin Perëndimor

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Podgoricë, 1 tetor Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t’i përmbushin premtimet për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, gjatë një takimi në Budva. Ai paralajmëroi se, në të kundërtën, BE-ja rrezikon besueshmërinë dhe ndikimin e saj në rajon.

“Procesi i zgjerimit të BE-së ndodhet në një pikë kthese”, deklaroi Wadephul para gazetarëve pas takimit të mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit. Në këtë format, BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor diskutojnë për integrimin ekonomik, infrastrukturën dhe pajtimin rajonal, shkruan “Politico”.

Wadephul rikujtoi se BE-ja u kishte premtuar anëtarësimin vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Selanikut në vitin 2003. Ai kritikoi gjithashtu përpjekjet e Gjermanisë, duke theksuar se ish-kancelarja Angela Merkel e nisi Procesin e Berlinit 11 vjet më vonë, në vitin 2014, me qëllim përshpejtimin e integrimit. Megjithatë, edhe pas 12 vjetësh të tjerë, nuk është shënuar përparim konkret.

“Nuk i kemi përmbushur premtimet tona”, tha ministri gjerman. “Do t’u bëja thirrje të gjithëve që t’u dëshmojnë vendeve të rajonit se premtimi i Selanikut është real, se jemi të besueshëm dhe se Evropa është një partner tek i cili mund të mbështetemi”.

Ai përmendi gjithashtu rivalët gjeopolitikë që konkurrojnë me BE-në për ndikim në rajon, duke aluduar qartë në Rusinë dhe Kinën.

Edhe ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, dha një paralajmërim të ngjashëm. Sipas saj, BE-ja duhet ta kuptojë se koha po mbaron dhe se në nivel global kjo po ndodh shumë shpejt.

“Ne nuk mund të përballojmë më të mbetemi të bllokuar në procese burokratike dhe deri më tani edhe teknokratike. Nëse lëmë qoftë edhe hapësirën më të vogël, menjëherë do të shfaqen fuqi të tjera dhe do ta shfrytëzojnë atë”, deklaroi ajo.

Mali i Zi aktualisht është vendi që ka përparuar më së shumti në procesin e zgjerimit të BE-së dhe synon të bëhet anëtarja e 28-të e Unionit në vitin 2028.

Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, i vlerësoi përpjekjet reformuese të Malit të Zi. Ajo bëri të ditur se vendi ka mbyllur 18 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave dhe se pritet që edhe disa kapituj të tjerë të përmbyllen gjatë këtij muaji.

“Ekziston një mundësi reale që Mali i Zi t’i përfundojë negociatat deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, deklaroi Kos, duke shtuar se procesi i ratifikimit më pas do të zgjasë edhe një ose dy vjet.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, u tha gazetarëve se qeveria e tij ka zbatuar reforma të shumta.

Ai theksoi se tani qytetarët duhet t’i ndiejnë përfitimet konkrete të anëtarësimit në BE.

“Sinqerisht, ne meritojmë të pranohemi menjëherë”, deklaroi Ibrahimović.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër