Nuk ka rëndësi vetëm kush vjen, por edhe çfarë lë pas

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 nëntor Zhurnal.mk – Suksesi në turizëm nuk matet vetëm me numrin e vizitorëve, por edhe me përfitimin ekonomik, cilësinë e jetës së banorëve lokalë dhe ruajtjen e burimeve natyrore e kulturore.

Shkruan: Doc. dr. Ljupço Janevski

Turizmi i Maqedonisë po shënon rezultate pozitive. Rritja e numrit të turistëve të huaj dhe shtimi i dukshmërisë ndërkombëtare janë tregues inkurajues, por shtrohet pyetja nëse ky zhvillim sjell përfitime afatgjata ekonomike dhe shoqërore për vendin.

Në shtator të vitit 2026, Maqedoninë e kanë vizituar 136.305 turistë, prej të cilëve 102.370 të huaj. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, numri i turistëve të huaj është rritur për 2,1 për qind, por numri i net-qëndrimeve të tyre është ulur për 2,3 për qind. Ndërkaq, në periudhën janar-shtator është shënuar rritje prej 3 për qind e numrit të turistëve të huaj dhe 4,6 për qind e net-qëndrimeve të tyre.

Këto të dhëna shtrojnë një pyetje më të gjerë: sa gjatë qëndrojnë turistët, sa shpenzojnë, sa nga konsumi i tyre përfundon në ekonominë vendore dhe çfarë pasojash lënë pas në komunitetet lokale dhe në hapësirën përreth?

Rritja e turizmit pa menaxhim të duhur mund të ketë një kosto të lartë. Një nga sfidat më të mëdha është mbrojtja e burimeve natyrore. Liqeni i Ohrit, Prespa, Dojrani, Mavrova, parqet kombëtare dhe zonat malore janë pasuri, vlera e të cilave nuk mund të kompensohet me të ardhura afatshkurtra. Menaxhimi i pamjaftueshëm i mbeturinave, presioni mbi burimet ujore dhe ndërtimet e pakontrolluara mund ta ulin atraktivitetin e destinacioneve. Turizmi nuk duhet ta shkatërrojë bazën e vet të zhvillimit.

I rëndësishëm është edhe ndikimi te popullsia lokale. Kaosi në trafik, ngarkesa mbi sistemet komunale, rritja e çmimeve të patundshmërive dhe pengimi i jetës së përditshme tregojnë se kënaqësia e banorëve duhet të jetë një nga treguesit e suksesit të politikës turistike.

Një problem tjetër është rrjedhja e shpenzimeve turistike jashtë ekonomisë vendore. Numri i madh i vizitorëve nuk garanton se përfitimet do të mbeten në ekonominë vendase. Bashkëpunimi më i madh i hoteleve, restoranteve dhe operatorëve turistikë me fermerët, prodhuesit dhe zejtarët vendorë mund të sigurojë përfitime më të mëdha për bizneset lokale dhe komunitetet rurale.

Sezonaliteti, nga ana tjetër, e kufizon konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e sektorit. Përqendrimi i aktiviteteve në disa muaj të verës nënkupton kapacitete të pashfrytëzuara mjaftueshëm, pasiguri në punësim dhe vështirësi për mbajtjen e kuadrit të kualifikuar.

Ekziston edhe rreziku i komercializimit dhe humbjes së identitetit lokal. Trashëgimia kulturore, tradita, gastronomia dhe autenticiteti janë ndër përparësitë më të mëdha konkurruese të Maqedonisë dhe nuk duhet të reduktohen vetëm në një produkt komercial.

Këto sfida nuk janë kritikë ndaj rritjes së turizmit, por një paralajmërim se, pa menaxhim të përshtatshëm, kjo rritje mund t’i rrezikojë objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Prandaj, Maqedonia duhet të bëjë një hap përpara, nga promovimi turistik drejt menaxhimit strategjik të destinacioneve.

Kjo nënkupton monitorimin e kapacitetit mbajtës të zonave turistike, veçanërisht të lokacioneve ekologjikisht të ndjeshme, si dhe hartimin e planeve lokale për menaxhimin e mbeturinave, ujit, trafikut dhe hapësirës. Nevojitet koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve, komunave, sektorit të turizmit dhe popullsisë lokale.

Duhet të ndryshojnë edhe kriteret për matjen e suksesit. Përveç numrit të turistëve dhe net-qëndrimeve, rëndësi kanë kohëzgjatja mesatare e qëndrimit, shpenzimet ditore, vlera e shtuar lokale, shpërndarja sezonale, cilësia e vendeve të punës dhe kënaqësia e banorëve.

Një nga prioritetet duhet të jetë zgjatja e sezonit turistik përmes zhvillimit të turizmit kulturor, rural, të verës, enogastronomik, kongresor, sportiv dhe ekologjik. Për këtë nevojiten infrastrukturë, kuadër profesional, produkte turistike cilësore dhe koordinim afatgjatë.

Rol të rëndësishëm ka edhe diplomacia turistike, e cila duhet të shkojë përtej paraqitjeve në panaire dhe fushatave promovuese. Ajo mund të kontribuojë në hapjen e tregjeve të reja, tërheqjen e investimeve dhe bashkëpunimin rajonal përmes itinerareve kulturore, rrugëve të verës, ofertave gastronomike dhe nismave ndërkufitare.

Në fund, mbetet pyetja thelbësore: çfarë lloj turizmi dëshirojmë të zhvillojmë dhe kujt duhet t’i shërbejë ai? Turizmi nuk është vetëm veprimtari ekonomike, por edhe instrument për pozicionim ndërkombëtar, shkëmbim kulturor dhe zhvillim të komuniteteve lokale. Prandaj, zhvillimi i tij duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, sektorit të biznesit, komunitetit akademik dhe popullsisë.

*(Autori është profesor universitar dhe ekspert i turizmit.)*

*(Redaksia distancohet nga qëndrimet e autorëve të shprehura në kolumnet e tyre.)*

https://www.vecer.press/kolumna-lupcho-janevski-ne-e-vazhno-samo-koj-doaga-tuku-i-shto-ostanuva-zad-nego/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër