Sektori digjital, dominon Tirana/ Kryeqyteti krijon 83.5% të vlerës së shtuar të informacionit dhe komunikacionit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 nëntor Zhurnal.mk – Informacioni dhe komunikacioni është një nga aktivitetet që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin digjital të ekonomisë, por në Shqipëri vlera e krijuar prej tij është e përqendruar kryesisht në Tiranë.

Sipas të dhënave të INSTAT-it për vitin 2024, qarku Tiranë gjeneron 83.5% të vlerës së shtuar bruto të këtij sektori në shkallë kombëtare, ndërsa 11 qarqet e tjera së bashku krijojnë vetëm 16.5%.

Diferenca me qarqet e tjera është e konsiderueshme. Durrësi renditet i dyti, me 4.09% të vlerës së shtuar kombëtare të sektorit, i ndjekur nga Shkodra me 2.66% dhe Fieri me 2.33%.

Në këtë grup aktivitetesh përfshihen programimi kompjuterik, shërbimet e teknologjisë së informacionit, telekomunikacionet, botimet dhe veprimtaritë mediatike. Pra, bëhet fjalë për një sektor më të gjerë sesa industria e teknologjisë në kuptimin e ngushtë.

Megjithatë, pesha e informacionit dhe komunikacionit në ekonominë shqiptare mbetet relativisht e kufizuar. Në vitin 2024, ky sektor përfaqësonte 2.8% të vlerës së shtuar bruto kombëtare, ndërsa në qarkun Tiranë pesha e tij arrinte në pothuajse 5%.

Rëndësia e sektorit shkon përtej kontributit të drejtpërdrejtë ekonomik. Shërbimet digjitale, programimi dhe telekomunikacionet mbështesin funksionimin e bizneseve, modernizimin e proceseve të punës dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera ekonomike.

Përqendrimi i lartë në Tiranë nxjerr në pah edhe dallimet territoriale në strukturën e ekonomisë. Ndërsa kryeqyteti mbizotëron në aktivitetet e informacionit dhe komunikacionit, pjesa tjetër e vendit ka një prani shumë më të kufizuar në krijimin e vlerës së shtuar të këtij sektori.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, informacioni dhe komunikacioni ka peshë të ndryshme në ekonomi. Në vitin 2024, ky sektor përbënte 9.9% të vlerës së shtuar bruto në Serbi, 5.8% në Maqedoninë e Veriut, 5.6% në Bosnje Hercegovina, 5.4% në Malin e Zi dhe 2.5% në Kosovë, kundrejt 2.8% në Shqipëri. Megjithatë, përqendrimi në kryeqytet nuk është karakteristikë vetëm e Shqipërisë./ Scantv.al

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër