Pala greke planifikon të përfundojë në vitin 2028 ndërtimin e pikës kufitare Markova Noga–Lemos në Prespë

Nga D. V.
582 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 qershor, Zhurnal.mk – Aktivitetet nga pala greke për ndërtimin e pikës kufitare Markova Noga–Lemos në Prespë planifikohet të përfundojnë deri në shkurt 2028. Megjithatë, do të shohim si do të ecë procesi, kjo është Ballkani, deklaroi euroambasadori Mihails Rokas gjatë vizitës së sotme në anën maqedonase të kufirit, raporton SDK, transmeton Zhurnal.

Rokas, së bashku me funksionarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), vizituan Prespën me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit. Ata inspektuan punimet ndërtimore për rikonstruksionin dhe vënien në funksion të pikës kufitare në Markova Noga, në anën maqedonase të kufirit, ku u theksua se tashmë janë përfunduar 60 për qind e punimeve.

Nga ajo që u pa në terren, punimet po vazhdojnë në anën maqedonase, ndërsa nga pala greke ende nuk ka filluar ndërtimi. Në prill të këtij viti, në Greqi u nënshkrua kontrata me kompaninë e përzgjedhur, që do të thotë se punimet ndërtimore pritet të fillojnë së shpejti.

“Ky rajon është shumë i rëndësishëm për të dyja vendet, do të kontribuojë në bashkëpunimin e ndërsjellë, në shkëmbimin ekonomik dhe në gjallërimin e rajonit. Shërbimet policore kanë bashkëpunim dhe duhet të mbikëqyrin punimet dhe të ndjekin ecurinë e procesit,” – tha Rokas.

Kalimi Markova Noga–Lemos ka qenë i mbyllur për 59 vjet. Sipas paralajmërimeve, në vitin 2025 duhej të fillonte rinovimi intensiv për 16 muaj dhe të përfundonte deri në vitin 2027. Fondet, në vlerë rreth 14 milionë euro për të gjithë projektin, janë pjesë e programit më të gjerë “BE për Prespën”, të siguruara nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuara përmes UNDP-së, në partneritet me aktorë kombëtarë dhe lokalë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e quajti këtë një projekt strategjik, ndërsa Greqinë një shtet mik.

“Prespa meriton të përfshijmë maksimumin brenda kapaciteteve që kemi. Ky është një projekt strategjik që do të sjellë vlerë të shtuar nga shumë aspekte, jo vetëm për Prespën, por edhe për dy shtetet tona mike,” – deklaroi Toshkovski.

Pjesa maqedonase e kufirit pritet të përfundojë për më pak se katër muaj.

“I gjithë projekti do të përfundojë deri në shtator të këtij viti. E filluam para dy vitesh dhe tani konstatojmë se punimet po shkojnë drejt përfundimit,” – tha Armen Grigoryan, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së.

Zoran Trajçevski, menaxher i projektit në UNDP, informoi se ndërtimi i objektit për Drejtorinë e Doganave është në fazë të avancuar. Kalimi do të ketë një rrugë 350 metra të gjatë me katër korsi, nga dy në secilin drejtim, si dhe infrastrukturën e nevojshme të vendosur.

Pas përfundimit të ndërtimit të pikave kufitare nga të dyja palët, do të pasojnë edhe aspektet e tjera shoqëruese për lidhjen e plotë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër