Paralajmërohen pensionistët: Rritja e shtatorit nuk do të jetë për të gjithë njësoj

Nga D V
760 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 gusht, Zhurnal.mk – Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rritjen e të ardhurave të pensionistëve.

Sipas tij, vendimi merret me qëllim të mbrojtjes së pensionistëve dhe pensioneve të tyre. Mickoski tha se pas rritjeve lineare të bëra më herët, individë të nxitur nga partitë opozitare kishin iniciuar procedura në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e tyre.

Për këtë arsye, sipas tij, rritja e ardhshme e pensioneve do të bëhet vetëm përmes harmonizimit të rregullt të përcaktuar me ligj.

“Po, do të ketë harmonizim të rregullt, në përputhje me ligjin. E dini se kishte iniciativa nga individë, të nxitur në prapavijë nga parti politike, për të ngritur para Gjykatës Kushtetuese çështjen e rritjes lineare të pensioneve. Për t’i mbrojtur pensionistët dhe pensionet, në të ardhmen rritja do të bëhet në përputhje me harmonizimet e përcaktuara me ligj”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike.

Sipas kryeministrit, shuma e saktë e rritjes së pensioneve ende nuk është përcaktuar, pasi përllogaritjet janë në proces.

“Jo, ende nuk dihet. Po përllogaritet dhe do të dihet shumë shpejt”, tha Mickoski.

Pensionet harmonizohen dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator. Sipas ligjit, në përllogaritje marrin pjesë në mënyrë të barabartë rritja e pagës mesatare të paguar dhe rritja e kostos së jetesës.

Gjatë dy viteve të fundit, pensionistët kanë përfituar rritje lineare prej 7.000 denarësh të pensioneve, raportojnë mediat maqedonase.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër