Pas vdekjes së Sahit Jasharit, mesazh ngushëllimi nga Jakup Krasniqi dhe bashkëluftëtarët në Hagë

Nga D. V.
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Pas ndarjes nga jeta të Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur një mesazh ngushëllimi të dërguar nga babai i tij dhe bashkëluftëtarët që po mbahen në Hagë.

Përmes një postimi ai ka treguar se gjatë telefonatës së mëngjesit me babanë e tij, mori porosinë për të përcjellë një telegram ngushëllimi për familjen Jashari dhe për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan veprën e komandantit të ndjerë.

Në mesazhin e tyre, bashkëluftëtarët e Sahit Jasharit shprehen të pikëlluar për humbjen e tij, duke e cilësuar si luftëtar të lirisë dhe hero të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të luftëtarit të lirisë dhe heroit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari. Jeta dhe vepra e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare. Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ai i shërbeu atdheut në ditët më të vështira, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”, thuhet në telegram.

Më tej, në mesazh shprehen ngushëllimet më të sinqerta për familjen Jashari, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë ata që ndanë rrugëtimin me të ndjerin.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për luftëtarin Sahit Jasharin dhe e paharruar vepra e tij në shërbim të lirisë dhe atdheut”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër