Për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret, Qeveria shpall gjendje krize 30-ditore në të gjithë vendin

Nga Xh M
849 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 korrik Zhurnal.mk – Në mbledhjen e sotme, Qeveria vendosi të shpallë gjendje krize në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Gjendja e krizës do të zgjasë 30 ditë, duke filluar nga 1 gushti 2026.

Vendimi është marrë me qëllim që institucionet të reagojnë në kohë, në mënyrë të koordinuar dhe efikase ndaj situatës në terren, si dhe të mobilizohen maksimalisht të gjitha kapacitetet institucionale për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës së tyre dhe burimeve natyrore.

Në kuadër të këtij vendimi do të aktivizohet Shtabi Kryesor pranë Qendrës për Menaxhimin e Krizave, i cili do të jetë në seancë të përhershme. Brenda 24 orëve ai do të hartojë një plan veprimi për parandalimin dhe përballimin e zjarreve, një pasqyrë të burimeve njerëzore dhe teknike në dispozicion, si dhe një plan për veprim të koordinuar të të gjitha institucioneve kompetente.

Qeveria i obligoi të gjitha organet e administratës shtetërore që të veprojnë në përputhje me rregulloret për menaxhimin e krizave dhe të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre për të siguruar reagim të shpejtë dhe efikas në terren.

Siç njoftuan nga Qeveria, ky vendim konfirmon përkushtimin e saj për të vepruar në mënyrë proaktive, me mobilizim të plotë të institucioneve dhe me përgjegjësi të qartë në mbrojtjen e qytetarëve, mjedisit jetësor dhe burimeve kombëtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër