Përmbaruesi bllokon Audi A6 të Komunës së Strugës për shkak të borxheve

Nga D. V.
1,157 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 mars, Zhurnal.mk – Automjeti luksoz Audi A6, i cili për disa vite është përdorur nga ish-kryetari i Strugë, Ramiz Merko, është bllokuar nga një përmbarues për shkak të borxheve që komuna ka ndaj subjekteve juridike.

Sipas informacioneve të publikuara nga Alsat, automjeti duhej të dilte në shitje të hënën përmes një ankandi elektronik, siç kishte paralajmëruar kryetari aktual i komunës, Mendi Qyra. Megjithatë, përmbaruesi ka ndërhyrë dhe ka bllokuar automjetin për shlyerjen e detyrimeve financiare të komunës, transmeton zhurnal.mk.

Në vetë automjetin, i cili ende ndodhet para ndërtesës së Komuna e Strugës, është vendosur një ngjitëse me mbishkrimin “I konfiskuar”, ku theksohet se ndalohet tjetërsimi, ngarkimi apo çdo formë tjetër disponimi me këtë send.

Përmbaruesi ka bërë të ditur se ka kryer regjistrimin e automjetit dhe se ai nuk mund të dalë në shitje në këto rrethana.

Nga Komuna e Strugës një javë më parë kishin njoftuar se vlera fillestare për ankandin e këtij automjeti, sipas vlerësimit të një eksperti të autorizuar, është 1.344.636 denarë, apo rreth 21.800 euro. Sipas komunës, mjetet nga shitja e automjetit do të përdoreshin për blerjen e një furgoni që do të shërbente për nevojat e administratës komunale dhe klubeve sportive në qytet.

Për automjetin në fjalë, për të cilin më herët janë shpenzuar rreth 67.000 euro, ishte zhvilluar edhe një proces gjyqësor ku ishte i akuzuar ish-kryetari i Strugës, Ramiz Merko, i cili më pas u lirua nga akuzat me vendim gjykate.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër