Shkup, 13 maj Zhurnal.mk – Mbrojtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në Liqenin e Ohrit dhe Prespës, si edhe forcimi i qëndrueshmërisë së komuniteteve shqiptare dhe maqedonase, ishin në fokus të një tryeze të organizuar me deputetët e Komisioneve të Burimeve Natyrore nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë konferencës së organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), ligjvënësit diskutuan mbi sfidat klimatike, nevojën për koordinim rajonal dhe mbrojtjen e ekosistemeve të përbashkëta në zonën e Ohrit dhe Prespës.
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e cilësuar Liqenin e Ohrit dhe Prespën si “simbol të sfidave klimatike dhe ekonomike që bashkojnë rajonin, por edhe të potencialit të jashtëzakonshëm që ai ka kur vepron i bashkuar”.
“Në konferencën e organizuar nga @osceorg me ligjvënës të Komisioneve të Burimeve Natyrore nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut diskutuam mbi nevojën për më shumë koordinim rajonal përballë ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së trashëgimisë natyrore e kulturore dhe forcimit të qëndrueshmërisë së komuniteteve tona. Nga Struga te Pusteci, ndajmë sfida të përbashkëta që kërkojnë përgjigje të përbashkëta”, shkruan deputeti Vengu.
Ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si aleatë në NATO dhe pjesë e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, duhet të forcojnë bashkëpunimin për reagimin ndaj emergjencave dhe sigurinë rajonale, në funksion të së ardhmes europiane të dy vendeve.

