Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të hënën pasdite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, i cili ndodhet në Kinë për një vizitë shtetërore
Xi theksoi në këtë takim se Kina i ka vendosur gjithmonë marrëdhëniet me Korenë e Jugut në një pozicion të rëndësishëm në diplomacinë e vet me vendet fqinje dhe politika e saj ndaj Koresë së Jugut mbetet e qëndrueshme. Pala kineze është e gatshme të punojë së bashku me palën koreanojugore për të ruajtur fort kursin e bashkëpunimit miqësor, për të ndjekur parimin e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, për të nxitur zhvillimin e partneritetit të bashkëpunimit strategjik Kinë–Kore e Jugut përgjatë një rruge të shëndetshme, si edhe për të rritur konkretisht mirëqenien e popujve të të dy vendeve, duke dhënë energji pozitive për paqen dhe zhvillimin në rajon dhe në botë.

Presidenti Xi theksoi më tej se Kina dhe Koreja e Jugut, për një kohë të gjatë, kanë respektuar parimin që “harmonia është e çmuar dhe nuk njeh dallime”, duke kapërcyer dallimet në sistemet shoqërore e ideologji, duke e mbështetur njëra-tjetrën dhe duke u zhvilluar së bashku. Kina dhe Koreja e Jugut kanë lidhje të ngushta ekonomike, me zinxhirë industrialë dhe furnizimi të ndërthurur thellësisht, ndërsa bashkëpunimi mes tyre është me dobi të ndërsjellë. Të dyja palët duhet të forcojnë përputhjen e strategjive të zhvillimit dhe bashkërendimin e politikave, të zgjerojnë gamën e interesave të përbashkët dhe të krijojnë më shumë rezultate nga bashkëpunimi në fushat në zhvillim, si inteligjenca artificiale, industria e gjelbër dhe ekonomia e të moshuarve. Gjithashtu, duhet të intensifikohen shkëmbimet ndërnjerëzore, përfshirë ato rinore, mediatike, sportive dhe midis instituteve të studimit të politikave, si edhe bashkëpunimi në nivel pushteti vendor, duke i bërë historitë pozitive rrymë kryesore të opinionit publik.

