Projektligjet e reja për minierat dhe gjeologjinë u prezantuan para biznesit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 tetor, Zhurnal.mk – Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale prezantoi ligjet e reja për minierat dhe gjeologjinë në një debat publik në Odën Ekonomike, me fokus në harmonizimin me standardet evropiane, digjitalizimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Zgjidhjet ligjore synojnë rritjen e sigurisë juridike, nxitjen e investimeve, procedura administrative më efikase dhe forcimin e mbrojtjes së mjedisit. Ato u përgatitën përmes konsultimeve me palët përkatëse, u publikuan në ENER dhe iu nënshtruan një shqyrtimi ndërkombëtar nga ekspertë.

Me Ligjin e veçantë për Gjeologjinë vendoset një kornizë sistematike për kërkimet gjeologjike dhe menaxhimin e të dhënave, ndërsa krijimi i Sistemit Informativ Maqedonas të Minierave dhe Gjeologjisë (MakRGIS) do të mundësojë digjitalizimin dhe qasje më të lehtë në informacion.

Ligji për Minierat parashikon zbatimin e Strategjisë për Lëndët e Para Minerale, mekanizma për mbështetjen e projekteve strategjike dhe harmonizimin me politikat evropiane për lëndët e para kritike. Në fushën e mbrojtjes së mjedisit, zgjidhjet e reja ligjore vendosin detyrimin për të siguruar garanci financiare 100% për sanimin dhe rikultivimin. Kjo i mundëson shtetit të mbulojë plotësisht shpenzimet për rehabilitimin e zonës pas përfundimit të shfrytëzimit. Njëkohësisht, vendosen rregulla moderne për menaxhimin e mbetjeve minerare, plane të detyrueshme për mbylljen e minierave dhe rikultivimin, si dhe masa për sanimin e zonave minerare historikisht të degraduara. Në këtë mënyrë forcohen mekanizmat për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurohet shfrytëzim më i përgjegjshëm dhe i qëndrueshëm i burimeve minerale.

Në debatin publik foli edhe sekretari shtetëror në Ministri, Goran Jovanovski, i cili theksoi se zgjidhjet e reja ligjore përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një kornize moderne dhe funksionale për zhvillimin e minierave dhe gjeologjisë.

„.Synojmë të krijojmë një kornizë ligjore që do t’u garantojë siguri juridike subjekteve ekonomike, do të nxisë investimet dhe do të mundësojë menaxhimin e përgjegjshëm të lëndëve të para minerale. Përmes rregullave moderne, digjitalizimit dhe mekanizmave të forcuar për mbrojtjen e mjedisit, po krijojmë kushte për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit mineraro-gjeologjik”, theksoi Jovanovski.

Në debatin publik u theksua rëndësia e bashkëpunimit me sektorin e biznesit për zbatimin e reformave dhe krijimin e një mjedisi të parashikueshëm për biznesin, me synim zhvillimin e një sektori modern dhe të qëndrueshëm mineraro-gjeologjik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër