Protestë në Maliq, banorët e Burimasit: Po na marrin ujin për fshatin tjetër

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Banorët e fshatit Burimas në Maliq, protestuan këtë të hënë për të tretën herë brenda pak muajsh, kundër projektit për furnizimin me ujë të fshatit Zvezdë.

Protesta nisi me bllokimin e rrugës dhe pengimin e mjeteve të Shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizime që po punojnë për projektin. Situata u tensionua pas ndërhyrjes së policisë, duke sjellë përplasje dhe shtyrje mes efektivëve dhe banorëve.

Sipas medieve ata kundërshtojnë një projekt për furnizimin me ujë të pijshëm të fshatit fqinj, Zvezdë, pasi thonë se ndërhyrja mund të ndikojë në furnizimin e tyre me ujë.

Për banorët, zgjidhja është që investimi për Zvezdën të realizohet pa prekur burimin nga i cili furnizohet Burimasi.

Nga ana tjetër, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime thotë për mediet se projekti është pjesë e një skeme rajonale dhe se nuk do të cenojë ujin e Burimasit.

Sipas Thoma Koroveshit, drejtues i Njësisë së Projektimit pranë Ujësjellësit, depoja e Burimasit me kapacitet 200 metër kub ujë, është ndërtuar fillimisht për furnizimin e Burimasit dhe Ormanit. Pas zgjidhjes së furnizimit të Ormanit përmes një investimi të mëparshëm, kapaciteti i kësaj depoje është parashikuar të përdoret për furnizimin me ujë të Zvezdës.

Pavarësisht kësaj, banorët këmbëngulin se nuk do të lejojnë marrjen e ujit nga burimi i tyre dhe kërkojnë një zgjidhje tjetër për furnizimin e Zvezdës.

Pas përplasjes me policinë, 3 protestues janë shoqëruar në Komisariatin e Maliqit per shkak të kundërshtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata pritet të japin deklarimet e tyre në komisariat, ndërsa më pas do të vijojnë veprimet procedural ndaj tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër