Pse u arrestua i riu në Kumanovë, pyetje që kanë ngelur akoma pa përgjigje?

nga I.A

Shkup, 1 dhjetor – Arrestimi i 18-vjeçarit nga Kumanova, Ardi Saiti, vetëm pak orë pas festimeve të 28 Nëntorit, nuk është më thjesht një ngjarje lokale është një incident me peshë politike, që ngre një sërë pikëpyetjesh mbi standardet e zbatimit të ligjit, raportet ndëretnike dhe funksionimin e institucioneve në Maqedoninë e Veriut. Nëse arrestimi i një shqiptari pa kurrfarë preteksti arrsyetohet me arrestimin e pesë maqedonasve që tentuan ta njëllosin më saktë ta djegin flamurin shqiptar, ky justifikim është idiotik dhe i pabazë. Pra, duhet publikisht organet e rendit të sqarojnë arsyen që kanë ndikuar në arrestimin e të riut kumanovar, shkruan Zhurnal.

Arrestimet nuk justifkohen në sasi duhet të ketë arsye të qartë për të arrestuar dikë – 

Ngjarja, siç raportojnë familjarët, ka ndodhur “pa asnjë arsye”, ndërsa i riu është shoqëruar në polici dhe mbajtur deri në mesditën e ditës së nesërme. Prej këtu nis dilema kryesore si mund të shndërrohet një festim me flamur kombëtar në arsye për arrestim?

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dega e BDI-së në Kumanovë që thekson se “shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën e saj lidhur me arrestimin e të riut kumanovar, Ardi Saiti, i cili mbrëmë u ndalua nga ana e policisë vetëm pse gjatë festës sonë kombëtare mbante në dorë flamurin kombëtar shqiptar. Ndaj tij madje është proceduar edhe lënda në Prokurori, gjë që e konsiderojmë të padrejtë dhe të papranueshme.”

Sipas BDI, edhe më shqetësues mbetet fakti se arrestimi është kryer nga i njëjti polic që vitin e kaluar përdhosi flamurin tonë kombëtar, person i njohur në Kumanovë me nofkën “Kasapi”, i cili, në vend që të përballej me masa disiplinore për aktet e tij, vazhdon të avancohet brenda strukturave policore.

“Kjo qasje e institucioneve jo vetëm që dëmton besimin e qytetarëve, por përbën edhe një akt të hapur albanofobie. Dega e BDI-së në Kumanovë kërkon sqarim të menjëhershëm nga organet kompetente, përgjegjësi institucionale dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnik. Ne do të ndjekim nga afër këtë rast deri në sqarimin e plotë të tij dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.

Iseni: Policia ndërhyri sipas ligjit –

Nga përfaqësuesit shqiptarë në qeveri deri në këto momente ka reaguar vetëm zëvëndësministri i Brendshëm, Astrit Iseni, i cili edhe është kompetent. Por, nuk duhej të mbizotëronte heshtja edhe tek përfaqësuesit tjerë politik. 

Zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni, ofron një këndvështrim tërësisht të ndryshëm ose të paktën shumë më institucional.

“Gjatë shënimit të Ditës së Flamurit në Kumanovë, disa persona shkelën rregullat dhe cenuan rendin publik. Policia ndërhyri sipas ligjit dhe veprimi u bë pa dallim etnik, duke garantuar që çdo qytetar të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Procedurat ligjore për rastet e konstatuara po vazhdojnë, ndërsa MPB mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë dhe qetësisë për të gjithë. Respektimi i ligjit është një detyrë për çdo qytetar, dhe nuk do të tolerohen veprime që nxisin tensione apo përçarje. Siguria, rendi publik dhe respekti ndaj ligjit janë prioritet për MPB-në dhe do të zbatohen në mënyrë të paanshme, për të garantuar qetësinë e çdo qytetari, pa dallim etnie, besimi apo përkatësie tjetër.”, ka shkruar zëvëndësministri i Brendshëm, Astrit Iseni. 

Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë?

Ajo që dimë është fakti që i riu është arrestuar dhe mbajtur për disa orë. Arrestimi ka ndodhur gjatë festimeve me flamur kombëtar. Institucionet shtetërore nuk kanë dhënë ende detaje të qarta për shkakun konkret, SPB Kumanovë nuk ka reaguar akoma për këtë rast. 

Por, ajo që nuk dimë është çfarë ekzaktësisht konsideroi policia shkelje të rendit publik? A ka pamje video apo raporte policore që e argumentojnë veprimin? A ishte flamuri arsyeja e ndërhyrjes apo thjesht rrethanë rastësore? A ka pasur provokime, konflikte apo mosbindje ndaj urdhrave të policisë? Pikërisht ky mungesë-transparence i jep ngjarjes dimensionin problematik. Këto përgjigje duhet t’i japin domosdo përfaqësuesit shqiptarë në qeveri, VLEN-i, deri atëherë gjithçka mbetet në suaza të dyshimeve për arrestime etnike. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More