PZAP refuzon ankesat e Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut për rinumërim të votave

Nga D. V.
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 qershor, Zhurnal.mk  – Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që t’i refuzojë si të pabazuara ankesat e dy kandidatëve për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu.

Që të dy kandidatët kishin kërkuar rinumërim plotësues të fletëvotimeve pas dyshimeve për mospërputhje të votave preferenciale në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor 2026.

Sipas vendimeve të datës 22 qershor 2026, paneli i përbërë nga gjyqtarët Skender Çoçaj, Kymete Kicaj dhe Arsim Hamzaj, ka gjetur se pretendimet e kandidatëve nuk qëndrojnë për t’u aprovuar.

Në ankesën e tij (ZP.Anr.52/2026) të dorëzuar më 19 qershor, Bekim Haxhiu kishte pretenduar se pas vendimit të KQZ-së për rinumërimin e 185 vendvotimeve të rregullta ku u konstatuan gabime, tek ai u evidentuan ndryshime në vota – duke përfshirë gjashtë vota shtesë në favor të tij.

Haxhiu ka argumentuar se fakti që u gjetën gabime në këto 185 vendvotime krijon një “dyshim objektiv” se pasaktësi të ngjashme mund të ekzistojnë edhe në vendvotimet e tjera që nuk u përfshinë në rinumërim.

Ai theksoi se diferenca mes tij dhe kandidatit para tij në listë është vetëm 102 vota, prandaj çdo votë është përcaktuese për renditjen e kandidatëve. Megjithatë, PZAP-i e ka refuzuar këtë ankesë si të pabazuar.

Ngjashëm me Haxhiun, edhe kandidati tjetër i PDK-së, Qëndrim Kryeziu, i u drejtua PZAP-it me ankesën (ZP.Anr.53/2026) të datës 20 qershor.

Kryeziu ka pretenduar se pas procesit të parë të rinumërimit të 185 vendvotimeve nga KQZ-ja, atij iu gjetën madje 589 vota shtesë në favor të tij.

Mbi këtë bazë, Kryeziu ka kërkuar që të verifikohet në tërësi saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatët e subjektit politik PDK në nivel vendi, duke pasur parasysh rëndësinë e secilës votë në ndarjen e mandateve.

Edhe kjo kërkesë e Kryeziut u refuzua si e pabazuar nga trupi gjykues i PZAP-it në seancën e mbajtur sot.

Me këto vendime, PZAP-i i ka lënë në fuqi procedurat e deritanishme të KQZ-së sa i përket rinumërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për këta dy kandidatë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër