Qytetarët pa zhurmë po ikin, e punëtorët e huaj në prag të derës në heshtje!

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Për vite me radhë emigrimi masiv ishte një nga temat më të diskutuara në Maqedoninë e Veriut. Raportet, analizat, debatet televizive dhe statistikat paralajmëronin për një fenomen që po zbrazte gradualisht vendin nga forca e tij më vitale, të rinjtë dhe popullsia në moshë pune. Megjithatë, përkundër zhurmës publike reagimi institucional nuk shihej askund. Eksodi trajtohej si një statistikë shqetësuese, por jo si alarm kombëtar që kërkonte ndërhyrje urgjente. Kështu, ndërsa qytetarët vendas po vazhdojnë të largohen drejt vendeve më të zhvilluara evropiane, në prag të derës po trokasin mijëra punëtorë të huaj që pritet të mbushin boshllëqet e krijuara në tregun vendas të punës, shkruan Zhurnal.

RMV do të vërshohet nga punëtorët nga jashtë

Deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, dëshmojnë qartë se qeveria po e sheh importimin e fuqisë punëtore si një nevojë strategjike. Sipas tij, vendi përballet me vështirësi serioze në mobilizimin e fuqisë punëtore vendase, ndërsa rritja e kuotës për punëtorë të huaj është një hap i domosdoshëm për ruajtjen e ritmit ekonomik. Madje, ai shkon edhe më tej kur propozon që deri në vitin 2030 numri i punëtorëve të huaj të arrijë në 50 mijë në vit.

Ky është një tregues se problemi nuk konsiderohet më i përkohshëm. Përkundrazi, po trajtohet si një realitet afatgjatë që kërkon zgjidhje të qëndrueshme. Nëse para disa vitesh mungesa e fuqisë punëtore shihej si shqetësim sporadik në sektorë të caktuar, sot ajo po paraqitet si pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Shembulli i kompanive të mëdha infrastrukturore, si “Bechtel dhe Enka”, sipas Nikolloskit, tregon se mungesa e qindra punëtorëve mund të ngadalësojë projekte të rëndësishme dhe të ndikojë drejtpërdrejt në performancën ekonomike.

Vendimi për të siguruar 10 mijë leje pune për shtetasit e huaj gjatë vitit 2026 është vetëm hapi i parë. Vetë qeveria e pranon se kjo shifër nuk do të jetë e mjaftueshme nëse trendet aktuale vazhdojnë. Kjo e shndërron importimin e fuqisë punëtore nga një masë emergjente në një politikë afatgjatë të tregut të punës. Nëse kuotat vazhdojnë të rriten me ritmet e paralajmëruara, Maqedonia e Veriut do të përballet me një transformim të rëndësishëm demografik dhe ekonomik.

Të dhënat tregojnë se procesi tashmë ka filluar. Numri i punëtorëve të huaj me leje qëndrimi është rritur mbi trefish brenda pak vitesh. Më së shumti interes ka në ndërtimtari, industri, hoteleri dhe tregti, ndërsa punëtorët vijnë kryesisht nga Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet. Kjo tregon se tregu i punës po globalizohet edhe në Maqedoninë e Veriut, por njëkohësisht ngre pyetjen nëse vendi po trajton shkakun e problemit apo vetëm pasojën e tij.

A duhet së pari të punësohen të papunët në vend e pastaj të huajt?

Pikërisht këtu fillon debati më i rëndësishëm. A është e arsyeshme që shteti të hapë gjithnjë e më shumë dyert për fuqinë punëtore të huaj, ndërkohë që në evidencat e Agjencisë për Punësim vazhdojnë të figurojnë mijëra qytetarë të papunë? Në parim, politika më logjike do të ishte që fillimisht të aktivizohen kapacitetet e brendshme dhe vetëm pas shfrytëzimit të tyre të kërkohet fuqi punëtore nga jashtë.

Natyrisht, kundërshtarët e kësaj ideje argumentojnë se shumë prej vendeve të lira të punës nuk pranohen nga qytetarët vendas për shkak të pagave të ulëta, kushteve jo të favorshme të punës ose mungesës së interesit për profesione të caktuara. Mirëpo, kjo hap një debat tjetër a duhet shteti dhe biznesi të përmirësojnë kushtet që qytetarët vendas t’i konsiderojnë të pranueshme këto profesione, apo thjesht të gjejnë fuqi punëtore më të lirë jashtë vendit? Sepse nëse zgjidhja e vetme është importimi i punëtorëve, atëherë rrezikohet që problemet strukturore të tregut të punës të mbeten të pazgjidhura.

Akoma më paradoksale duket situata kur dhjetëra mijëra të rinj, përfshirë edhe të diplomuar, vazhdojnë të përballen me pasiguri ekonomike dhe mungesë perspektive. Edhe në sektorë si gastronomia dhe ndërtimtaria mund të krijohen politika aktive për rikualifikim, trajnim profesional dhe integrim të fuqisë punëtore vendase. Sfida nuk duhet të jetë vetëm plotësimi i vendeve të lira të punës, por krijimi i mekanizmave që qytetarët e vendit të kenë arsye të qëndrojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre brenda shtetit.

Kujtojmë që, Maqedonia e Veriut po përballet me një paradoks të madh qytetarët e saj po largohen në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa ekonomia po përgatitet të mbijetojë falë fuqisë punëtore që vjen nga jashtë. Importimi i punëtorëve mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër për mungesën e stafit, por nuk mund të zëvendësojë nevojën për politika serioze që ndalin emigrimin dhe rikthejnë besimin e qytetarëve te e ardhmja në vendin e tyre. Duhet kujtuar që suksesi i një shteti nuk matet me numrin e punëtorëve që importon, por me aftësinë për t’i mbajtur qytetarët e vet në shtëpi. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër