Rama: Asnjë parti politike në Evropë nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve si ndodh te ne

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama e cilësoi situatën e protestave në vend si një “fatkeqësi kombëtare”, duke theksuar se efektivët e Policisë së Shtetit po përballen jo vetëm me sulme fizike, por edhe me atë që ai e përshkroi si sulm nga ekranet dhe mbështetja publike për dhunën.

Gjatë një takimi mëngjesin e sotëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme me ministrin Ervin Demo si dhe me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, Rama tha se ndryshe nga vende të tjera europiane ku janë shfaqur protesta të ngjashme, në Shqipëri ka parti politike që mbajnë anën e dhunuesve dhe justifikojnë sulmet ndaj institucioneve.

Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria është bërë pjesë e shënjestrave të një sulmi të mirëkordinuar nga një forcë e verbër që nga presidenti i SHBA është shpallur organizatë terroriste.

Rama tha se një pjesë e të rinjve që marrin pjesë në këto protesta po përdoren nga aktorë të tjerë për qëllime politike.

“Unë do ta quaja një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e policisë, që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, dhe mbi të gjitha, të gjithë ju në uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve, por jeni dhe nën sulmin e ekraneve. Kjo është absolutisht rrënqethëse, pasi siç e tha ministri, kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë, kjo paralajmërohet se do të ndodhë kudo, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve, nuk ka dalë të brohorasë flakët mbi institucionet, nuk ka dalë të hyjnizojë dhunën, gurin, drurin, hurin, e një mase kapuçonësh të zinj, të maskuar, pastaj të cilëve nuk ka studentë, pastaj të cilëve nuk ka të rinj dhe të rinj që duan Shqipërinë më të mirë, por ka vetëm qenie të verbra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vinë, as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë, adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida, me saçme që godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin, dhe pastaj iu turren dyqaneve, si brumbuj që brejnë jetën, brejnë ëndrrën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë në ato dyqane”, tha kreu i qeverisë.

Rama shtoi se “si mund të përkrahet, si mund të hyjnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikolog, e cila ka nevojë për t’u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën, dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohë e kur shohin në ekranin e telefonit se si disa të tjerë, disa të tjerë që jetojnë me online dhe bëjnë nga dhjetëra mijëra euro në muaj pa paguar asnjë taksë, mund të hanë në shtëpi, e të vishen, e të jetojnë në luks, dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga antifa, e nga shërbimet huaja, e nga armiqtë e Shqipërisë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër