Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme me ministrin Ervin Demo dhe drejtues të Policisë së Shtetit, tha se presioni më i madh në lidhje me protestat e dhunshme në kryeqytet, nuk vjen nga rruga, por nga ata që e shohin dhunën si shenjë të fundit të qeverisë.
“Nuk është presioni, e përsëris, nuk është presioni i rrugës. As i vetmi dhe as ai më i keqi, më i keqi është presioni i atyre të ashtuquajturve intelektualë, i atyre të ashtuquajturve analistë, opinionistë, që çdo mbrëmje bëjnë bilancin e dhunës dhe që inatet, mllefet, zilitë, pasurinë, dështim-zemërimin e tyre e ushqejnë, e ushqejnë me sa police sakatohen, me sa institucione digjen, me sa njësi tregtare shkatërrohen, dhe i fërkojnë duart, sepse erdhi fundi i Edi Ramës dhe qeverisë”, iu tha Rama drejtuesve të Policisë.
“Sepse më në fund u realizua ajo që është tentuar me vite e vite e vite me gjithë farë lloj formash, me gjithë farë lloj protestash, me gjithë farë lloj manifestimesh, me gjithë farë lloj molotovësh”, tha Rama.
Sipas Ramës, ata që qëndrojnë pas protestave ëndërrojnë që një efektiv policie t’i marrë jetën një të mituri, për të rikthyer një tjetër 21 Janar dhe për të vendosur shenjën e barazimit mes qeverisë së tij dhe atyre që vrisnin protestues në bulevard.
Duke iu referuar PD-së, Rama shtoi “dhe tani u gjetën mashat, u gjetën veglat, u gjetën qorrat, që mund të bëjnë atë që ata të cilët mbrëmë ju dhanë strehim politik duke bërë të njëjtën gjë që kanë bërë edhe kur ishin në kohëra të tjera”.
“Refuzimi për t’i lënë policinë të bëjë punën e vet, por se kishin deri në fund kurajon që të bënin këtë që po ndodh sot, u gjetën të miturit, u gjetën 13-vjeçarët, 14-vjeçarët që merren dhe vijnë përpara, me shufra hekuri dhe çohen atje, një mish për top, duke ëndërruar që një polic, larg qoftë, t’i shpëtojë dora edhe t’i marrë jetën një të mituri, që pastaj justifikohet e keqja edhe më e madhe. Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë 21 janar. Për të bërë shenjën e barazisë midis meje dhe nesh që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndryshuar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në Bulevard i vrisnin protestuesit”, tha Rama.
Rama vlerësoi qëndrimin e efektivëve të policisë përballë dhunës dhe presionit, duke deklaruar se ata po mbrojnë institucionet dhe shtetin shqiptar.
“Prandaj dinjiteti me të cilin ju po i rezistoni kësaj flame, prandaj forca me të cilën ju po i rezistoni kësaj lodhje, prandaj kuraja me të cilën ju po i qëndroni këtij presioni, i bën nder uniformës tuaj, i bën ndër shtetit shqiptar dhe është borxh që të gjithë qytetarët dhe të gjitha familjet e zakonshme të këtij vendi që duan të jetojnë me punë, që sot duan të shkojnë në punë, nuk duan të rrinë përpara televizorit. Nuk duan të jenë nën presionin e lloj-lloj kronikanësh e lloj-lloj analistësh që ju tregojnë se policia po gjuan me gurë protestuesit. Ju a kanë borxh, ua kanë borxh të gjithë shqiptarët sot”, tha Rama.
