Shkup, 15 korrik, Zhurnal.mk – Shporta mesatare konsumatore është përpunuar, miratuar dhe pranuar nga Këshilli ekonomik- social, por të dhënat janë duke u harmonizuar me Entin Shtetëror të Statistikës. Pres që nëse harmonizohemi, të fillojmë ta zbatojmë nga shtatori, tha sot zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Risteski.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas takimit të punës në Odën ekonomike, Risteski theksoi edhe një herë se shporta mesatare e konsumatorit nuk është ekuivalencë e shportës minimale të konsumatorit.
“Të përsëris për të satën herë se shporta mesatare e konsumatorit nuk është ekuivalencë e shportës minimale konsumatore, e cila nuk është minimale, ajo publikohet nga sindikatat sipas disa parametrave të tyre. Kjo shportë do të jetë e dobishme për ne për të zhvilluar politika të shëndosha ekonomike, për të miratuar ligje, vendime dhe masa të shëndosha, bazuar në të dhëna statistikore të përpunuara mirë”, nënvizoi Risteski.
