Rrëfehet Liri Berisha: Si po e ndryshojmë jetën e fëmijëve autik në Shqipëri

Nga Xh M
855 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Në një intervistë ekskluzive për “Inside Albania”, Liri Berisha, bashkëshortja e ish-kryeministrit dhe kryetarit aktual të Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për angazhimin e saj të gjatë në fushën e autizmit, si dhe për përkushtimin ndaj familjes dhe jetës shoqërore.

Berisha tregoi se pas një vizite ndërkombëtare ku njohu përvojën e organizatave për autizmin në Shtetet e Bashkuara dhe Katar, vendosi të fokusohej tek fëmijët autik në Shqipëri. Ajo theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të specializuar, duke krijuar qendra rajonale, përkthyer materiale edukative dhe trajnuar specialistë për t’i ardhur në ndihmë familjeve.

“Në fillim kur u përfshiva me autizmin në Shqipëri, situata ishte thuajse zero, prindërit i fshihnin fëmijët, shoqëria nuk i njihte, mjekët nuk i trajtonin dhe nuk kishte asnjë lloj njohje të fenomenit. Filluam menjëherë me grupin tim të fondacionit dhe stafin për të sensibilizuar shoqërinë. Krijuam qendra, përkthyem libra, bëmë kurse për specialistë dhe lidhëm bashkëpunim me universitete në Shtetet e Bashkuara për të trajnuar pediatër dhe mësues që të identifikonin shenjat e hershme të autizmit tek fëmijët.

Sa i përket trajtimit, Berisha tha se ai fillon që në moshë të vogël, dhe qëllimi është integrimi i shpejtë i fëmijëve.

“Sot, 80% e fëmijëve që trajtohen në qendër janë të përgatitur për shkollë dhe mund të komunikojnë në mënyrë më normale. Përveç trajtimit të fëmijëve, qendra punon gjithashtu me arsimtarët dhe edukatorët e kopshteve dhe çerdheve për të njohur autizmin dhe për të menaxhuar klasat me fëmijë autikë”.

“Prindërit janë heronj të këtyre fëmijëve,” tha ajo, duke nënvizuar sfidat me stigmën dhe mentalitetin e vjetër, që shpesh pengonte integrimin e fëmijëve në shoqëri.

“Çdo fëmijë trajtohet sipas nevojave të veta, sepse çdo autik ka karakteristikat dhe specifikat e veta. Mbështetja e prindërve dhe mësuesve mbetet një pjesë thelbësore e punës sonë. Prindërit, përmes këtij sistemi, bëhen partnerë të trajtimit dhe shpesh heronj të fëmijëve të tyre”.

Gjatë intervistës, Berisha foli edhe për jetën e përditshme në shtëpi, duke theksuar rëndësinë e lidhjes me nipërit dhe mbesat, aktivitetet e përbashkëta dhe krijimin e një ambienti të gëzueshëm pavarësisht kufizimeve që solli angazhimi politik i bashkëshortit. Ajo nënvizoi se besimi dhe vlerat familjare kanë luajtur rol kyç në edukimin e brezit të ri dhe në mbështetjen e kauzave humane.

Intervistën e plotë me Liri Berishën dhe diskutimet mbi autizmin dhe angazhimin shoqëror mund ta ndiqni në kanalin YouTube të Euronews Albania.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër